Real Madridi me përmbysje fiton ndaj Espanyolit, mban gjallë shpresat për titull
Real Madridi është kthyer te fitoret në La Liga. Mbretërit e mposhtën me rikthim Espanyolin me rezultat 3:1 për të zbutur epërsinë e Barcelonës në krye të tabelës në gjashtë pikë.
Skuadra e Carlo Ancelottit erdhi në këtë ndeshje pas një gabimi që bëri një javë më parë me barazimin 1:1 ndaj Real Betisit, që i la prapa në garën për titull, por kjo fitore e sotshme i jep shpresa mbretërve sadopak, të varur edhe nga një gabim i mundshëm i Barcelonës.
Espanyol kaloi shpejt në epërsi. Joselu shënoi gol të bukur në minutën e tetë pas një asistimi të bukur nga Ruben Sanchez për rezultatin 1:0.
Por Real Madridi u kundërpërgjigj shpejt me dy gola gjatë pjesës së parë për të përmbysur rezultatin.
Fillimisht ishte Vinicius Junior që shënoi në minutën e 22-të një gol të jashtëzakonshëm për rezultatin 1:1.
Ndërsa për epërsinë e parë të mbretërve u përkujdes Eder Militao, që shënoi me kokë për 2:1 në minutën e 39-të, pas harkimit të Aurelien Tchouameni.
Deri në fund të takimit, Real Madridi shënoi edhe një gol. Ishte Marco Asensio që shënoi në minutat shtesë të takimit për rezultatin përfundimtar 3:1, asistues kësaj radhe ishte Nacho Fernandes.
Real Madridi mbetet në pozitën e dytë me gjashtë pikë më pak se lideri Barcelona, por këta të fundit kanë një ndeshje më pak, ndërsa Espanyol përkohësisht mbetet në pozitën e 13-të.