Real Madridi është ëndërr për futbollistët, thotë menaxherja e Erling Haalandit - NACIONALE

Real Madridi është ëndërr për futbollistët, thotë menaxherja e Erling Haalandit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Real Madridi është ëndërr për futbollistët, sipas menaxheres së Erling Haalandit, Rafaela Pimenta.

Haaland, 22 vjeç, ka gëzuar një fillim shumë frytdhënës në Manchester City, duke i shënuar 27 gola në Premierligë në sezonin e tij debutues, pas transferimit nga Borussia Dortmundi në verë.

Por në të kaluarën trajneri i tij Pep Guardiola ishte detyruar t’i mohonte lajmet e mediave se kontratat e sulmuesit të tij përmbante një klauzolë lirimi që ai t’i bashkohej Real Madridit më 2024.

E kemi Premierligën dhe pastaj vjen Real Madridi. Këta dy kanë diçka të veten e cila është edhe ëndërr për lojtarët”, tha Pimenta.

Madridi po e vazhdon magjinë. Ata nuk i kanë garat javore, por ata e kanë Ligën e Kampionëve”, shtoi ajo.

Gjiganti spanjoll e ka fituar trofeun e Ligës së Kampionëve – një garë që City s’e ka fituar kurrë – pesë herë që prej vitit 2014 dhe e mposhti kampionin e Premierligës nga kjo garë në gjysmëfinale sezonin e kaluar.

Avokatja braziliane Pimenta ishte partnere në biznes me super menaxherin Mino Raiola dhe e mori përsipër udhëheqjen e agjencisë menjëherë pas vdekjes së tij në prill të vitit të kaluar.

Duke folur në një samit të futbollit në Londër, ajo tha se sulmuesi norvegjez Haaland kishte kërkuar t’i bashkohej City në mënyrë që të punonte me Guardiolën, për shkak se Premierligën e shihte si ligë atraktive dhe për faktin se babai i tij Alfie kishte luajtur për City.

Pimenta shtoi se ajo dhe lojtarët e saj gjithmonë përpiqen ta bëjnë një plan se si duan që karriera e lojtarit të shkojë.

Ne duhet ta bëjmë një plan, ne duhet ta kemi një synim. Mbase nuk e përmbushim, por nëse nuk e dimë se ku po shkojmë, atëherë natyrisht se nuk do të arrijmë atje”, theksoi ajo.

Lajme të ngjashme