Real Madridi e nderon Cristiano Ronaldon pasi shënoi 900 gola në karrierë
Real Madridi e ka uruar Cristiano Ronaldon pasi shënoi golin e 900-të në karrierë të enjten mbrëma.
Portugezi shënoi në fitoren 2:1 ndaj Kroacisë në Ligën e Kombeve, që ishte fitorja e parë pas eliminimit nga “Euro 2024”.
Reali u përkujdes ta uronte legjendën e klubit përmes një shkrimi në rrjetin social “Twitter”.
“Tjetër rekord historik: 900 gola në karrierën profesioniste për një nga legjendat më të mëdha në historinë e Real Madridit dhe botën e futbollit”.
“Urime i nderuar dhe admiruar Cristiano Ronaldo. Real Madridi dhe tifozët e klubit janë gjithmonë krenar për ty”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.
Ronaldo ndërkohë deklaroi se është shumë i lumtur që u bë lojtari i parë që shënon 900 gola në karrierën profesionale në të gjitha garat.
“Nënkupton shumë. Ishte një arritje që doja ta arrija që një kohë të gjatë. E dija se mund ta arrija këtë numër, sepse dua të vazhdoj të luaj prandaj do të ndodhte normalisht”.
Ronaldo ndërkohë mund ta rrisë këtë numër të dielën, kur Portugalia të jetë nikoqir i Skocisë.