Real Madrid pa dy yje ndaj Liverpoolit
Real Madrid do të jetë pa dy yjet si Aurelien Tchouameni dhe Toni Kroos për ndeshjen ndaj Liverpoolit në kuadër të raundit të 16-të në Ligën e Kampionëve.
Dyshja mesfushorë që janë zgjedhja e parë e trajnerit Carlo Ancelotti pranë Luka Modric, kanë qenë të sëmurë këto ditët e fundit.
Kroos mungoi në fitoren e Realit ndaj Elches dhe Osasunas, derisa Tchouameni ishte një mungesë e momenteve të fundit gjatë triumfit në vikend pasi kishte disa simptoma të sëmundjes.
Asnjëri nga mesfushorët nuk ishin në gjendje të stërviten të dielën prandaj edhe kanë mbetur jashtë listës së Real Madridit për përballjen ndaj "Reds".
Mbrojtësi i krahut Ferland Mendy gjithashtu mungon shkaku i lëndimit në kofshë, derisa në listë nuk gjendet as Mariano Diaz, edhe pse po të ishte nuk është që Ancelotti do ta përdorte.
Sidoqoftë, tekniku italian ka marrë një lajm të mirë për rikthimin e fituesit të Topit të Artë, Karim Benzema, që mungoi ndaj Osasunas por do të udhëtojë me ekipin për në Liverpool.
Ancelotti pas fitores ndaj Osasunas kishte bërë me dije se Dani Carvajal do të rikthehet në pozitën e krahut të djathtë, me David Alaba që do të luajë në të majtën dhe Eder Militao me Antonio Rudiger në "zemrën" e mbrojtjes.
Ndeshja do të nis këtë të martë me fillim nga ora 21:00, derisa ajo kthyese në "Santiago Bernabeu" më 15 mars 2023.