Real Madrid me përmbysje triumfon ndaj Almerias
Real Madrid ka shënuar fitore me rikthim në sfidën që doli të jetë mjaftë e vështirë në udhëtim te Almeria, në kuadër të xhiros hapëse të La Liga-s.
Almeria zhvilloi paraqitje të mirë defensive, me "Los Blancos" që fituan me rezultat 1:2.
Pas vetëm gjashtë minutave lojë, Largie Ramazani pranoi një top të shkëlqyer nga Inigo Eguaras për të nisur një kundërzbritje të shpejtë dhe realizoi nga afërsia për t'i dhënë epërsinë Almerias.
Pas golit të pësuar, Real Madrid nisi presionin e madh duke rrezikuar disa herë përmes Vinicius Junior e Karim Benzema, por portieri vendas arriti t'i ndal.
Ishte Lucas Vazquez që realizoi një vollej të bukur pas një harkimi të Vinicius Junior, por që goli u anulua për pozitë jashtë loje.
Duke mos pasur asnjë gol brenda kësaj pjese, Almeria i mbylli 45 minuta në epërsi.
Sidoqoftë, Real Madrid zhvilloi paraqitjen e dytë shumë herë më të mirë, duke sulmuar shumë më shpesh. Benzema dhe Vinicius bashkëpunuan disa herë, por nuk arritën ta mposhtin portierin vendas.
Real Madrid "akullin" e theu përmes Vazquez që pranoi një pasim të bukur nga Benzema dhe realizoi lehtësisht nga afërsia (61').
Pas këtij goli, mysafirët veçse u motivuan duke zhvilluar lojë edhe më të hapur. Ishte mbrojtësi David Alaba që vulosi fitoren me një eurogol.
Austriaku u tregua shumë i saktë me një goditje nga gjuajtja e lirë, duke lënë të shtangur portierin e Almerias, i cili nuk kishte çfarë të bënte (75').
Tutje, Real Madrid kishte mundësi që edhe të shënonte sërish, por që assesi nuk ia dolën t'i konkretizojnë rastet.
Kësisoj, Real Madrid e nis me këmbë të mbarë edicionin e ri 2022/23 duke u ngritur në pozitën e dytë në tabelë me tre pikë të mbledhura, derisa Almeria renditët në pozitën e 17-të pa pikë.
Kampioni i Evropës që para tre ditëve fitoi Superkupën e UEFA-s në xhiron e radhës do të jetë mysafir i Celta Vigos, derisa Almeria do të udhëtojë për përballjen kundër Elches.