Real Madridi e fiton El Clasion e parë të sezonit dhe e kalon Barcelonën në krye të La Ligës - NACIONALE

Real Madridi e fiton El Clasion e parë të sezonit dhe e kalon Barcelonën në krye të La Ligës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Real Madrid ka shënuar fitore në "El Clasico" duke mposhtur rivalin e përbetuar, Barcelona, në kuadër të kryederbit të xhiros së nëntë në La Liga.

"Los Blancos" ishin më të mirë në përgjithësi se katalunasit, duke fituar në fund me rezultat komod 3:1.

Nga një kundëraksion i shkëlqyeshëm, Toni Kroos pasoi te Vinicius Junior i cili dribloi deri te porta, por goditjen e tij e ndali Ter Stegen, e nga topi i kthyer përfitoi Karim Benzema që shënoi për 1:0.

Pas kësaj, Barcelona rrezikoi përmes Robert Lewandowskit, i cili humbi një rast të artë nga afërsia që të barazojë rezultatin (25').

Sidoqoftë, dominimi i Real Madridit vazhdoi duke gjetur rrjetën këtë herë përmes Federico Valverdes, i cili shënoi një gol të jashtëzakonshëm nga distanca (35'), rezultat me të cilin përfundoi kjo pjesë.

Edhe në pjesën e dytë, "Los Blancos" e nisën shumë më mirë, duke gjetur golin përmes Karim Benzema, që shënoi një gol shumë të bukur nga distanca, por VAR-i e anuloi për pozitë jashtë loje (52').

Pas kësaj, Barcelona nisi të rrezikojë më shumë duke kërkuar penallti pasi Robert Lewandowski u faullua brenda zonës, por kështu nuk mendoi arbitri.

Mysafirët u këndellen vonë duke gjetur rrjetën përmes të inkuadruarit Ferran Torres, i cili u asistua për mrekulli nga Ansu Fati (83').

Spanjolli kishte një tjetër rast të shkëlqyeshëm, por gjuajtjen e tij përfundoi jashtë portës (87').

Në aksionin tjetër, Real Madrid rrezikoi përmes Rodrygos, i cili u faullua brenda zonës dhe pas rishikimit të VAR-it, arbitri dha penallti e braziliani pastaj e konkretizoi në rrjetë për të vulosur fitoren (90+1').

Kështu, Real Madrid merr këtë fitore të madhe duke u rikthyer në kreun e tabelës me 25 pikë, derisa Barcelona renditët e dyta me 22 sosh.

Në xhiron e radhës, Reali është mysafir i Elches, derisa Barcelona do ta pret Villarrealin.

Lajme të ngjashme