Real Madrid fiton në “dramën” e tetë golave ndaj Atleticos, kualifikohet në finale
Real Madrid është kualifikuar në finalen e Superkupës së Spanjës, me një fitore të ngushtë ndaj rivalit lokal Atletico Madrid.
“Los Blancos” fituan me rezultat 5:3, ndeshje që ishte e hapur nga minuta e parë.
Atletico e nisi më mirë, duke kaluar në epërsi përmes Mario Hermoso që u asistua nga Antoine Griezmann.
Mirëpo pas kësaj, Real Madrid mori dominimin. Fillimisht barazuan me Antonio Rudiger, që shënoi me kokë pas harkimit të Luka Modric (20’).
Ndërsa, nëntë minuta më vonë Ferland Mendy me një finalizim fantastik e përmbysi epërsinë (29’).
Sidoqoftë, Atletico s’u dorëzua duke u kthyer në lojë përmes mesfushorit Antoine Griezmann që dribloi për mrekulli dy mbrojtës dhe me një goditje fantastike e mposhti Kepan (37’).
Në pjesën e dytë, prapë Atletico e gjeti portën i pari. Në fakt ishte një gabim amator i Kepas, që goditi Rudigerin dhe topi përfundoi brenda rrjetës (78’).
Kur mendohej se Atletico do të shkonte në finale, në skenë doli Dani Carvajal që përfitoi nga një top i kthyer për ta dërguar lojën në vazhdime (85’).
Dallimin në vazhdime e bëri qendërsulmuesi Joselu, që pas harkimit të Dani Carvajal goditi me kokë, topi pastaj u devijua nga Stefan Savic dhe përfundoi brenda rrjetës (116’).
Fitoren e Realit e vulosi Brahim Diaz në kohën shtesë, ku përfitoi nga një dalje e portierit Oblak dhe një kundërzbritje e shpejtë, duke shënuar në portën e zbrazur (120+3’).
Tani Real Madrid avancon në finalen e Superkupës së Spanjës, ku do të përballet me fituesin e ndeshjes Barcelona – Osasuna.