Real Madrid fiton derbin ndaj Napolit, Galata mposht me rikthim Man Unitedin
Rea Madrid ka arkëtuar pikët e plota në udhëtim te Napoli (2:3), derisa Galatasaray gjithashtu e ka mposhtur Manchester Unitedin (2:3).
“Los Blancos” me shumë mund kanë arritur ta fitojnë derbin ndaj Napolit me rezultat 2:3, ku mungoi Amir Rrahmani shkaku i lëndimit.
Napoli fillimisht kaloi në epërsi përmes Leo Ostigard, që realizoi me kokë pas një topi të kthyer (19’).
Mirëpo, Real Madrid u këndell shpejtë duke barazuar rezultatin përmes Vinicius Junior që shënoi nga afërsia pas asistimit të Jude Bellingham (27’).
Anglezi pastaj mahniti tifozët duke dribluar tre futbollistë, për të shënuar në fund (34’).
Napoli ishte prapë më e mirë në fillimin e pjesës, duke barazuar sërish rezultatin. Këtë herë ishte Piotr Zielinski që shënoi nga pika e bardhë pasi Nacho preku topin me dorë (54’).
Mirëpo, Real Madrid e vulosi fitoren me një eurogol nga distanca të Fede Valverdes që e la të shtangur portierin Meret (78’), ku në fakt pastaj u numërua si autogol i këtij të fundit.
Me këtë fitore, Real Madrid merr kreun në grupin C me gjashtë pikë derisa Napoli bie në vendin e dytë me tre sosh.
Në anën tjetër, Manchester United ka bërë një tjetër gabim duke ia rrezikuar vetes kualifikimin pasi u mposht nga Galatasaray me rezultat 2:3.
“Djajtë e Kuq” ishin më të mirë se gjiganti turk, mirëpo që mysafirët arkëtuan pikët e plota.
Rasmus Hojlund kaloi Man Unitedin në epërsi me një gol nga afërsia pas një asistimi të bukur të Marcus Rashfordit (17’).
Mirëpo, Galata u këndell shpejtë duke barazuar përmes Wilfried Zaha që realizoi pasi goditja e tij u devijua dhe përfundoi brenda rrjetës (23’).
Man United arriti të kalonte sërish në epërsi përmes danezit, që këtë herë mori një top në mesfushë dhe dribloi deri në fund për të realizuar nga afërsia (67’).
Por, sërish vetëm disa minuta më vonë Galata krijoi një aksion të shpejtë me Kerem Akturkoglu që shënoi nga afërsia pas asistimit të Baris Yimaz (71’).
Problemet për Man Unitedin nisën sapo Casemiro u ndëshkua me karton të kuq si pasojë e dy kartonëve të verdhë.
Pas atij kartoni, Galata mori në dorë lojën duke e përmbysur rezultatin me Mauro Icardin që disa minuta më parë e humbi penaltinë (81’).
Kështu, Galata ngrihët në vendin e dytë në tabelë me katër pikë derisa Man United renditet në fund pa pikë.