Real Madrid e harron humbjen nga Atletico, triumfon kundër Las Palmas
Real Madrid ka triumfuar në shtëpi ndaj Las Palmas, duke harruar menjëherë humbjen nga rivali Atletico Madrid.
“Los Blancos” ishin shumë herë më të mirë se Las Palmas, edhe pse në fund fituan me rezultat 2:0.
Joselu dhe Nacho kishin disa raste shënimi nga afërsia në pjesën e parë, por që assesi s’ia dolën ta dërgonin në portën e skuadrës mysafire.
Sidoqoftë, mbrojtja e hekurt u thye në kohën shtesë, ku Brahim Diaz mori një asistim të bukur nga Lucas Vazquez për ta dërguar brenda rrjetës, që njëkohësisht ishte goli i parë në fanellën e bardhë (45+3’).
Fitoren e Real Madridit më pas e vulosi vetë Joselu, me një gol të bukur me kokë pas një harkimi të Rodrygos (54’).
Real Madrid tentoi që të shënonte edhe disa gola tjerë por sërish hero për mysafirët ishte portieri duke bëri super pritje.
Me këtë fitore, Real Madrid ngrihët në pozitën e dytë me 18 pikë, një më pak se lideri Girona derisa Las Palmas zë pozitën e 17-të me pesë sosh.
Gjiganti madrilen në vikend do të përballet me Gironan, skuadër kjo që ka mahnitur të gjithë me paraqitje fantastike këtë sezon.