Real Madrid dhe Man City kualifikohen në çerekfinale - NACIONALE

Real Madrid dhe Man City kualifikohen në çerekfinale

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ashtu siç pritej, si Real Madrid ashtu edhe Manchester City kanë kryer detyrën duke siguruar kualifikimin në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.

Real Madrid eliminoi Leipizgun me rezultat të përgjithshëm 2:1, pasi ndeshja në “Santiago Bernabeu” përfundoi me rezultat 1:1.

“Los Blancos” në fakt bën një paraqitje të dobët, me Leipzigun që dominoi gjatë tërë kohës por që dështuan t’i finalizonin rastet e shumta.

Mysafirët e nisën shumë më mirë, duke pasur dy raste fantastike përmes Luis Openda, mirëpo që assesi s’mundi ta mposhtë Lunin.

Derisa Leipzig po sulmonte, Reali krijoi një kundëzbritje ku vetëm me tre pasime shkuan te porta kundërshtare. Toni Kroos pasoi te Jude Bellingham, që me një asistim maestral e gjeti Vinicius Junior i cili kaloi vendasit në epërsi (65’).

Leipzig megjithatë s’u dorëzua duke barazuar rezultatin pas vetëm tre minutave lojë përmes Willi Orban, që shënoi me kokë pas harkimit të David Raum (68’).

Leipzig tentoi deri në fund që të shënonte për ta dërguar ndeshjen në vazhdime, mirëpo ishte larg finalizimit të tyre.

Kësisoj, Real Madrid avancon në çerekfinale, kurse kundërshtarin do ta mësojë javën tjetër.

Ndërkohë, detyrën me sukses e ka kryer edhe Manchester City, duke shënuar fitore 3:1 njësoi si në ndeshjen e parë ndaj Copenhages (6:2 rezultati i përgjithshëm).

Skuadra e Pep Guardiolas e nisi për mrekulli, duke avancuar pas vetëm pesë minutave lojë me Manuel Akanjit që realizoi me një vollej fantastike.

Katër minuta më vonë, Julian Alvarez dyfishoi epërsinë me një goditje nga distanca pas një intervenimi të dobët të portierit mysafir (9’).

E tëra që bëri Copenhaga ishte goli i nderit, pas një super aksioni ku shënoi Elyounoussi (29’).

Fitoren e Man Cityt e vulosi askush tjetër përpos Erling Haaland, që shtangi portierin pas asistimit të Rodrit (45+3’).

Kështu, “Qytetarët” bëhen skuadra e katërt që siguron pjesëmarrjen në çerekfinale të kompeticionit më të rëndësishëm në botë.

Lajme të ngjashme