Reagon Ramadani: Luajtëm si të barabartë me Italinë, Kroacinë dhe Spanjën
Mesfushori Ylber Ramadani ka reaguar në rrjetet sociale pas eliminimit nga Kampionati Evropian “Euro 2024”, duke falënderuar tifozët për mbështetjen ndërsa deklaroi se ishin të barabartë me Italinë, Kroacinë dhe Spanjën.
Ylli i Lecces zhvilloi paraqitje solide në të gjitha përballjet, me Shqipërinë që u mposht nga Italia e Spanja, ndërsa mori një barazim ndaj Kroacisë.
Ramadani së fundmi ka reaguar në rrjetet sociale, duke deklaruar se treguan karakter në çdo sfidë.
“Krenar që jam shqiptar! I lumtur që isha pjesë e Shqipërisë në këtë rrugëtim në finalet e “Gjermani 2024”. Tre ndeshje, tre finale me tre nga ekipet më të mira të Europë, dy prej të cilave janë shpallur edhe kampione Europe dhe Bote. Luajtëm fort, si të barabartë me Italinë, Kroacinë dhe Spanjën, duke treguar karakter në çdo sfidë”.
“Faleminderit çunave, faleminderit stafit teknik dhe të gjithë stafit drejtues që kanë qenë pranë nesh. Një falenderim të veçantë për tifozët që na kanë mbështetur në stadium, në çdo rrugë e shesh të Gjermanisë, si edhe çdo ditë në kampion tonë stërvitor. Mbi të gjitha falimenderit Zotit. Përjetë: Forca Shqipëri”, shkroi ai.