Reagon Federata e Tenisit e Francës, pas mesazhit të Djokoviqit për Kosovën
Autoritetet franceze nuk e kanë ndër mend ta qortojnë apo ndëshkojnë Novak Djokoviqin për mesazhin e tij politikë për Kosovën pas fitores në rrethin e parë në grand slamin French Open të hënën.
Pas fitores kundër Aleksandar Kovacevic (6-3, 6-2, 7-6), ai shkroi në kamerë “Kosova është zemra e Serbisë – ndaleni dhunën”, duke thënë mesazh të qartë politik.
Ai po i referohej tensioneve në veri të Kosovës, të cilat u rritën qysh më 26 maj, kur Policia e Kosovës hyri me forcë në komunat me shumicë serbe: Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, për t’ua mundësuar kryetarëve të rinj shqiptarë ta nisin punën pasi dolën fitues në zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit.
Protestuesit serbë, shumica të maskuar, ishin të dhunshëm ndaj policisë së Kosovës dhe KFOR-it, duke i lënduar rreth 30 ushtarë paqeruajtës në Kosovë.
Pas mesazhit të Djokoviqit në kamerë, Federata e Tenisit e Francës tha se nuk do të ndërmarrë asnjë veprim.
“Nuk ka ndonjë rregullore në Grand Slam se çfarë mund të thotë apo mos të thotë një lojtar. FFT nuk do të bëjë asnjë deklaratë e as nuk do të marrë ndonjë qëndrim për këtë çështje”, tha federata franceze të martën.
Tenisti nga Beogradi i arsyetoi komentet dhe tha se do të vazhdonte t’i përkrahte serbët në Kosovë edhe nëse përballet me ndëshkime.
“Unë nuk jam politikan dhe nuk e kam për qëllim të përfshihem në debate politike. Kjo çështje është shumë e ndjeshme dhe si serb më lëndon shumë gjithçka që po ndodh në Kosovë”, tha Djokoviq.
Djokoviq, babai i të cilit u lind në Zveçan, njihet si mohues i krimeve serbe në Bosnje dhe Kosovë dhe ka qenë kundërshtar i zëshëm i pavarësisë së Kosovës.
“Nuk e di çfarë do të ndodhë, dëgjova që ka pasur shumë kundërshtime (për mesazhin tim) në rrjetet sociale dhe nëse unë do të ndëshkohem, por unë nuk zmbrapsem, do ta bëja përsëri”, këmbënguli 36-vjeçari.
Ai shtoi: “E pakta çka mund të bëj është të ofroj përkrahje si figurë publike, veçanërisht si i biri i një njeriu që u lind në Kosovë.”

