Raportohet se Agim Ademi tashmë është arrestuar (e korrigjuar)
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, tashmë është arrestuar, kështu së paku raportohet nga T7.
Ademi dyshohet për keqpërdorimin e financave të Federatës së Futbollit, ndërsa mësohet se ai fillimisht kishte ikur nga vendi para se policia të shkonte për ta prangosur.
Ende nuk dihet se a është arrestuar apo është vetëdorëzuar, por siç raportohet ai po intervistohet në stacionin policor në lagjen e Muhaxherëve në Prishtinë.
Nacionale pas shumë tentimeve për të kontaktuar me Policinë e Kosovës, nuk ka arritur ta verifikojë se i njëjti është arrestuar, por raportimet thonë se ai po intervistohet tash e katër orë.
Përveç tij, urdhërarrest është lëshuar edhe ndaj Agim Gashit, zyrtar financiar në Federatën e Futbollit të Kosovës.
Nacionale provoi të kontaktonte me Ademin por ai nuk ishte i qasshëm deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.
Agim Ademi para më pak se një jave u lirua nga akuzat për kanosje, që rëndonin mbi të tash e shumë vite.
SHËNIM: Policia e Kosovës ka demantuar të dhënat e këtij raportimi që flasin për ikjen e z. Agim Ademi.