Ragip Xhaka e viziton babanë e ish-presidentit Thaçi në Burojë
Babai i Granit Xhakës, Ragipi, e vizitoi në fundjavë babanë e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në vendlindjen e tij Burojë.
Xhaka, babai i dy futbollistëve kosovarë Taulantit dhe Granitit, është kryetar i degës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Zvicër.
Ai u shoqërua nga kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, gjatë vizitës në shtëpinë e ish-presidentit Thaçi, i cili po gjykohet në Hagë për krime lufte.
“Kur jam dëgjuar me mikun tim Ragipin se do të jetë në Kosovë, e para që më ka thënë ishte se do të dëshironte ta vizitojmë bashkë Haxhi Thaçin në Burojë, Babën e ish presidentit Thaçi”, njoftoi Lladrovci në Instagram.
“Baca Haxhi përkundër viteve që bart në shpatullat e tij, bart edhe brengën e padrejtësisë, brengën e Kosovës, brengën e vendimit për luftën e UÇK-së, për fatin e birit të tij, Hashimit dhe të tjerëve, heronj të luftës dhe paqes”, shtoi ai.
Një muaj më parë, Xhaka kishte protestuar kundër gjykimit të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, duke e cilësuar gjykimin e tyre si tentim për ta njollosur historinë e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare për lirinë e Kosovës më 1998-99.
Ai ishte përndjekur dhe keqtrajtuar nga policia serbe gjatë qëndrimit në burg në vitet e 90-ta, para se të emigronte në Zvicër.
“Mërgata ka qenë fuqia jonë morale, ushtarake e financiare për çlirim, me bijat e bijtë më të mirë që rreshtoheshin në UÇK dhe ishin gati të flijoheshin për lirinë e Kosovës. Sot, mërgata është burim i mirëqenies së shumë familjeve. Ragipi dhe Shaipi theksuan se mërgata i ndjen zhvillimet në atdhe, vuajtjet dhe padrejtësitë që shkaktohen, në veçanti nga një gjyq që synon të rishkruaj historinë”, nënvizoi LLadrovci.
