Publikohet lista e Kombëtares U21: Përfshihen gjashtë lojtarë të Superligës - NACIONALE

Publikohet lista e Kombëtares U21: Përfshihen gjashtë lojtarë të Superligës

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Është publikuar lista për ndeshjet e marsit të Kombëtares U21 në futboll.

‘Dardanët’ e rinj të dy ndeshjet i luajnë kundër Sllovenisë. Takimin e parë e zhvillojnë më 25 mars, në ‘Fadil Vokrri’, me fillim nga ora 18:00, ndërsa takimin e dytë e luajnë më 29 mars në Celje, me fillim nga ora 15:00.

Të dy ndeshjet janë të vlefshme për kualifikimet e Kampionatit Evropian 2023.

Drejtori teknik, i cili njëherit po e ushtron edhe detyrën e përzgjedhësit të Kombëtares U21, Albert Bunjaki ka ftuar plot 24 futbollistë për këto dy ndeshje.

Nga kontigjenti i bujshëm, gjashtë vijnë nga Superliga e Kosovës. Grumbullimi i parë do të mbahet më 21 mars, me fillim nga ora 15:00, në Kampin Nacional të Hajvalisë.

Kosova U21 aktualisht zë pozitën e pestë në Grupin G, me gjashtë pikë, ndërsa Sllovenia ndodhet në vendin e katërt me 8 pikë, pas gjashtë ndeshjeve të zhvilluara.

Në pesë përballjet e fundit, ‘Dardanët’ e rinj kanë regjistruar dy fitore dhe tri humbje.

Fitoret e vetme i realizuan kundër Andorrës 2-0, më 8 qershor të vitit të kaluar, dhe kundër Shqipërisë 2-1, më 16 nëntor, poashtu vitin e kaluar.

Kundër Andorrës, golat nga Dion Berisha 82’ dhe Mark Merlaku 85’, ia siguruan fitoren solide Kosovës në ‘Fadil Vokrri’, ndërsa në përballjen kundër Shqipërisë, gjithashtu në ‘Fadil Vokrri’, golat për tanët i shënuan Erolind Krasniqi 66’ dhe Arlind Sejdiu 90’, të cilët anuluan golin e epërsisë së Shqipërisë të shënuar nga Bernard Karrica në minutën e 58.

Në tri përballjet e tjera, nga pesë të fundit, Kosova u mposht si mysafire e Anglisë 2-0, në shtëpi nga Çekia 1-0 dhe 3-0 si mysafire në Çeki.

Kujtojmë se në shkurt të këtij viti, Federata e Futbollit e Kosovës shkarkoi nga pozita e trajnerit të U21 gjermanin Michael Nees, i cili ishte subjekt i kritikave të shumta, pas një ecurie të rezultateve negative.

“KE mori vendim që t’i ndërpresë kontratën përzgjedhësit Michael Ness dhe shtabit teknik të Kombëtares U21. Duhet theksuar se z. Ness edhe kontrata si drejtor teknik i ka skaduar afati,” shkruhej në komunikatën e FFK-së për shkarkim atë kohë.

Në të njejtën komunikatë, institucioni më i lartë i futbollit në vend gjithashtu njoftoi për emërimin e Albert Bunjakit si “koordinator” të kësaj grupmoshe, duke ia besuar të njejtën pozitë edhe për Kombëtaren “A” gratë, dhe grupmoshat e reja të kësaj Kombëtareje si U21, U19, U17 dhe U15.

Lajme të ngjashme