PSG pa Messin nuk është i njëjtë, sërish ndahet baras me Benfican
PSG nuk ka arritur t’i gjejë pikët e plota ndaj Benficas as në terrenin e vet, duke u kënaqur sërish me një barazim 1:1. Kësisoj, parisienët dështuan që edhe të kualifikoheshin në 1/8-at e finales në Ligën e Kampionëve.
Një paraqitje jo bindëse ajo e PSG sot ndaj skuadrës portugeze të Benfica. Shtatë herë fituesi i Topi të Artë, Lionel Messi, nuk ishte në gatishmëri për të luajtur dhe mungesa e tij u vërejt, njësoj sikur në fundjavë kundër Reims.
Benfica sërish u dëshmua si një ekip konkret, me një lojë të qartë, ku shpesh u shfaqën të rrezikshëm përmes ndërtimit të aksioneve me topa të shpejtë.
PSG më mirë luajti në pjesë të parë, por goli i epërsisë nuk erdhi deri thuajse në fund të pjesës së parë.
Në minutën e 38-të gjyqtari anglez akordoi penallti në favor të kampionit në fuqi të Francës.
Pas dy minutave përgjegjësinë për ekzekutimin e penalltisë e mori Kylian Mbappe. Ai nuk gaboi dhe shënoi për 1:0.
Ky ishte goli i 4-të i shënuar në Ligën e Kampionëve për Kylian Mbappen. Thënë ndryshe, është lojtari me më së shumti gola të shënuar nga ekipi i tij në këtë kompeticion.
Në pjesën e dytë filloi të ndryshojë paksa panorama e ndeshjes. Benfica mori zemër dhe filloi që të shfaqej më shumë në gjysmëfushën e francezëve.
Në minutën e 60-të u evidentua një ndërhyrje e parregullt në Rafa Silvan. Pas rishikimit të aksionit në dhomën e VAR-it, u vendos që t’i akordohej penallti Benficas.
Sërish topin për ta goditur 11-metërshin e mori Joao Mario si lojtar me përvojë. Ai shënoi prapë pa ndonjë portier, duke mos i dhënë Donnarummas asnjë mundësi që ta mbronte gjuajtjen e tij.
Deri në fund të ndeshjes PSG me raste u përpoq të orvatej drejt portës së Benficas për ta rikthyer epërsinë, por pa sukses.
Kylian Mbappe shënoi në minutën e 85-të një gol mjaft të bukur nga afërsia, por gjyqtari anësori ngriti flamurin duke sinjalizuar pozitë jashtë loje.
Një vendim që u legjitimua edhe nga pamjet televizive në reprizë. PSG më pas u tregua i pafuqishëm që të bënte më shumë, duke u mjaftuar me barazimin e tretë rresht në të gjitha garat dhe të dytin radhazi ndaj Benficas në Ligën e Kampionëve.
Pas xhiros së katërt, PSG dhe Benfica vijojnë të kryesojnë në grupin H me 8 pikë. Të dyjat kanë pesë pikë më shumë sesa ndjekësit, Juventus, respektivisht Maccabi Haifa.

PSG do të rikthehet në Ligën e Kampionëve më 25 tetor, ku do ta presë në fushën e saj Maccabi Haifan. Me një fitore eventuale do ta siguronte kualifikimin.
Rast simetrik edhe me Benfican sa i përket kualifikimit. Në të njëjtën datë ajo do të luajë si vendëse ndaj Juventusit.
Rezultatet e shënuara në ndeshjet tjera në Ligën e Kampionëve
Copenhagen 0:0 Manchester City
Maccabi Haifa 2:0 Juventus
celtic 0:2 Leipzig
Dinamo Zagreb 1:1 Salzburg
Dortmund 1:1 Sevilla
Milan 0:2 Chelsea
Shakhtar 1:1 Real Madrid

