PSG e nis sezonin me trofe, triumfon ndaj Nantes në Superkupën e Francës
Paris Saint German e ka nisur edicionin e ri në mënyrën më të mirë të mundshme, duke fituar trofeun e parë nën urdhrat e Christophe Galter, atë të Superkupës së Francës.
“Parisienët” zhvilluan lojë shumë të bukur ndaj Nantes, duke fituar me rezultat të thellë 4:0.
Ndeshja ishte plotësisht e dominuar nga PSG, që ishin shumë më të mirë nga minuta e parë dhe me plot meritë fituan trofeun e parë.
Shtatë herë fituesi i Topit të Artë, Lionel Messi hapi serinë e golave, duke shënuar një gol fantastik pas 22 minutave lojë.
Argjentinasi mori një top nga një asistim i Marco Verrattit dhe pastaj dribloi deri tek porta, duke tejkaluar edhe portierin dhe në fund e konkretizoi në rrjetë (22’) – VIDEO.
Tutje, dominimi i gjigantit francez veçse vazhdonte me sulmet e njëpasnjëshme për një gol të dytë, që do të ishte i qetësisë.
Ndërkohë, Nantes ‘sulmonte’ përmes kundërzbritjeve që rezultuan shumë të pasuksesshme, me Gianluigi Donnarumman që gjithmonë ishte në vendin dhe kohën e duhur.
Në përfundimin e pjesës së parë, nga një gjuajtje fantastike realizoi Neymar Junior. Braziliani ishte tepër i saktë, duke lënë në ‘gjumë portierin’ kundërshtar, i cili assesi nuk arriti ta ndalte (45+6’) – VIDEO.
Kështu, pjesa e parë u mbyll me rezultat 2:0 në të mirë të PSG-së, që vazhduan ta ruajnë distancën edhe gjatë 45-minutëshit të dytë.
Pas një tjetër aksioni të shpejtë, goditja e Pablo Sarabia u ndal nga portieri i Nantes, por nga topi i kthyer përfitoi Sergio Ramos që mahniti një stadium me golin e shënuar.
Me një mënyrë të shënuari sikurse ish bashkëlojtari Cristiano Ronaldo, apo ndryshe i njohur si stili ‘finte’, spanjolli e dërgoi topin në korner të portës nga afërsia për rezultatin 3:0 – VIDEO.
Për Nantes gjërat u vështirësuan disa minuta pa përfunduar ndeshja, me Jean-Charles Castelleto që u ndëshkua direkt me të kuq pas një ndërhyrje të rrezikshme brenda zonës.
E nga pika e bardhë, ishte tepër i saktë Neymar që vulosi fitoren e thellë prej 4:0, si dhe realizoi golin e dytë personal (81') – VIDEO.
Kështu PSG e nis më së miri edicionin e ri, që është i 11-ti në histori të klubit, derisa tani iu mbetet të ‘luftojnë’ edhe për trofeun e Ligue 1, Kupës së Francës dhe Ligës së Kampionëve, ky i fundit mbetet dëshira e madhe e të gjithëve brenda klubit francez.