PSG e mposht Auxerren, një pikë larg titullit në Francë
Paris Saint-Germain ka shënuar fitoren e radhës duke triumfuar në udhëtim te Auxerre në kuadër të xhiros së 36-të në Ligue 1.
Mysafirët triumfuan me rezultat të ngushtë 1:2, edhe pse e tëra ndeshja u dominua nga ta.
Kylian Mbappe pas vetëm gjashtë minutave lojë kaloi PSG-në në epërsi pas një asistimi të Fabian Ruizit.
Dy minuta më pas Mbappe dyfishoi epërsinë me një gol të bukur nga distanca pas një pasimi të Leo Messit (8').
Auxerre arriti të ngushtojë epërsinë me anë të Sinayokos që u asistua nga Da Costa (51').
Mirëpo, pavarësisht disa tentimeve në kundërzbritje vendasit assesi s'ia dolën ta bëjnë befasinë.
PSG në fakt gjeti edhe një herë rrugën drejt golit që do të ishte het-triku i Kylian Mbappes, por pastaj u anulua nga VAR-i për pozitë jashtë loje.
Me këtë fitore, PSG tani thuajse është kampion pasi ka 84 pikë, gjashtë më shumë se Lens që renditet e dyta me dy xhiro pa përfunduar kampionati.
Skuadrës së Christophe Galtier i nevojitet vetëm një pikë që të shpallet zyrtarisht kampion i Francës.