PSG "demolon" Lillen, Milan ndalet nga Atalanta - NACIONALE

PSG "demolon" Lillen, Milan ndalet nga Atalanta

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Paris Saint German ka shënuar fitore të thellë në udhëtim te Lille, derisa AC Milan ka marrë vetëm një barazim te Atalanta.

Gjiganti francez turpëroi rivalin duke e mposhtur bindshëm me rezultat të thellë 1:7.

Vetëm me pesë prekje pasi nisi loja, Leo Messi gjeti Kylian Mbappe i cili me një parabolë kaloi PSG-në në epërsi (1') - VIDEO.

Argjentinasi pastaj u përkujdes për golin e dytë, duke shënuar me prekjen e parë pas asistimit të Nuno Mendesit (27') - VIDEO.

Nga një tjetër aksion i shpejtë, Achraf Hakimi realizoi gol të bukur pas një asistimi të shkëlqyer të Neymar - VIDEO.

Braziliani vazhdoi me formën e mirë duke shënuar golin e katërt pasi përfitiu nga një top i rregulluar prej devijimit të pasimit të Messit (43'), rezultat me të cilin edhe përfundoi kjo pjesë - VIDEO.

PSG vazhdoi me dominimin e plotë edhe gatë pjesës së dytë, ku Achraf Hakmi gjeti Neymarin, që shënoi të dytin personal dhe të pestin për mysafirët (52') - VIDEO.

Dy minuta më vonë, Lille arriti ta realizojë golin e parë, që njëkohësisht doli i fundit përmes Jonathan Bamba, i cili shënoi nga afërsia pas një kundërzbritje (54') - VIDEO.

Fitoren e "Parisienëve" e vulosi vetë Mbappe që u asistua për mrekulli nga Neymar (66'), derisa në fund edhe vulosi het-trikun (87') - VIDEO.

Në këtë sfidë u inkuadrua edhe talenti kosovar Edon Zhegrova që hyri në fushë në minutën e 54-të, u mundua të bënte disa driblime por që nuk e gjeti assesi golin.

Kështu, PSG vazhdon me fitoren e tretë radhazi në Ligue 1 duke pasur nëntë pikë, derisa Lille qëndron në pozitën e 10-të me katër sosh.

Në sfidën tjetër, Milan është ndalur në një barazim nga Atalanta.

"Rossonerët" ishin shumë më të mirë se Atalanta, mirëpo rezultati përfundimtar doli të jetë 1:1.

Ndeshja ishte shumë e baraspeshuar derisa Ruslan Malinovsky realizoi një gol të bukur edhe pse u devijua në fund për t'i dhënë epërsinë Atalantas (29') - VIDEO.

Si vendasit ashtu edhe mysafirët kishin raste që të gjenin golin, por që nuk ia dolën prandaj epilogu i kësaj pjese doli të jetë 1:0.

Në pjesën e dytë, Milan arriti ta barazojë rezultatin përmes Ismael Bennacer që pas një pasimi nga Saelemaekeres realizoi një gol shumë të bukur (68') - VIDEO.

Kështu Milan tani qëndron në pozitën e tretë në tabelë me katër pikë, dy më pak se liderët momental Napoli dhe Inter, derisa Atalanta zë pozitën e katërt, gjithashtu me katër sosh.

Lajme të ngjashme