“Pse s’e rrëzoi Leaon?” – Rrahmani kritikohet për paraqitjen kundër Milanit në Ligën e Kampionëve
Ish-ylli i Italisë, Antonio Cassano, e ka fajësuar pjesërisht Amir Rrahmanin për rrëzimin e Napolit nga Liga e Kampionëve, për shkak të paraqitjet që bëri në ndeshjen e kthimit çerekfinale të martën.
Napoli barazoi 1:1 me Milanin në ndeshjen e kthimit në Diego Armando Maradona, por u eliminua më rezultat të përgjithshëm 2:1 pasi e kishte humbur ndeshjen e parë në Milano.
Kuqezinjtë kaluan në epërsi në pjesën e dytë pasi Olivier Giroud shënoi në portën boshe falë një depërtimi mahnitës të Rafael Leaos, i cili vrapoi me topin pothuajse tërë fushën për ta asistuar francezin.
Rrahmani ishte i fundit të cilin e kaloi anësori portugez, pavarësisht se kosovari u mundua ta ndalojë me çdo kusht.
“Pse Rrahmani nuk bëri faull në rastin e golit? Sapo Leao ta marrë topin, ai nuk duhej të lejohet të vrapojë me të”, tha Cassano pas ndeshjes.

Pavarësisht një ndërhyrjeje zvarrë, Rrahmani nuk arriti madje as ta prekë Leaon e lëre më ta rrëzojë.
Ish-sulmuesi i Milani dhe Interit mendon se skuadrës së Luciano Spallettit i nevojitet një mbrojtës më i mirë se 29-vjeçari.
“Urime Napolit për arritjen deri këtu, por për ta bërë një hap më shumë, ata duhet ta marrin një qendërmbrojtës tjetër të një niveli të caktuar”.
Me gjithë kritikat e Cassanos, Napoli është shumë i kënaqur me Rrahmanin dhe e ka përgatitur një ofertë të përmirësuar për të, pasi ajo e tanishmja i mbaron në verën e vitit 2024.
Përfaqësuesit i Kosovës ka dhënë kontribut të madh në ecurinë e sigurt të Napolit drejt titullit të parë në Serie A pas shumë dekadave, duke bërë paraqitje mbresëlënëse dhe duke i shënuar dy gola dhe një asist në 22 paraqitje.
Raportohet se palët janë pajtuar tashmë për marrëveshjen e re dhe ka mbetur vetëm njoftoi zyrtar.
Prishtinasi do të nënshkruajë me kampionin në ardhje të Italisë deri në verën e vitit 2027 dhe do të përfitojë rritje page nga 1.8 milion euro në 2.5 milionë euro neto në vit.
Ky është një shpërblim që klubi ka dashur prej kohësh t’ia japë Rrahmanit si mirënjohje për punën e tij të shkëlqyer gjatë këtij sezoni.