Pse Kombëtarja e Kosovës duhet të konsiderohet me fat që do të përballet me Islandën? - NACIONALE

Pse Kombëtarja e Kosovës duhet të konsiderohet me fat që do të përballet me Islandën?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kombëtarja e Kosovës do të përballet me Islandën në play-off për inkuadrim në Ligën B të Ligës së Kombeve dhe ky është shorti më me fat për Dardanët, ja pse?

Dardanët dolën në vendin e dytë në Ligën C2 në sezonin që përfundoi me dy ndeshjet e nëntorit dhe si rrjedhojë tani ka mundësinë e promovimit në një ligë më lartë.

Në Zurich të Zvicrës u tërhoq shorti për play-off, ku Kombëtarja e Kosovës për kundërshtar do ta ketë Islandën, teksa kundërshtarë të mundshëm ishin edhe Sllovenia, Irlanda dhe Gjeorgjia.

Kombëtarja e Kosovës mund ta konsiderojë veten me fat për këtë short dhe kjo ka disa arsye.

Fillimisht nga të gjithë kundërshtarët e mundshëm që ishin në short për Kosovën, Islanda renditet më keq se të tjerat, pra në vendin e 70-të, ndonëse dukshëm më mirë se Dardanët, që janë në vendin e 101-të (kjo renditje do të ndryshojë më 28 nëntor, ku Kosova për herë të parë do të dalë në top 100).

Fakti i dytë pse Kombëtarja e Kosovës është më me fat që do të përballet me Islandën është vlera e skuadrës.

Për dallim nga kundërshtarët e tjerë që ishin të mundshëm, Kosova ka vlerë më të lartë të skuadrës vetëm se Islanda.

Sipas Transfermarkt, vlera e skuadrës së Islandës është 53.40 milionë euro, me sulmuesin e Real Sociedad, Orri Oskarsson, që vlerësohet 20 milionë euro, teksa të tjerët kanë vlerë jo shumë të lartë.

Në anën tjetër, Kombëtarja e Kosovës ka vlerë në total prej 88,10 milionë euro me 23 futbollistë të përfshirë.

Lojtari më i vlefshëm është padyshim Edon Zhegrova, që po kalon formë të jashtëzakonshme te Lille. Vlera e tij është rreth 25 milionë euro

Pas tij janë Amir Rrahmani e Vedat Muriqi me 15 dhe 12 milionë euro, respektivisht.

Kujtojmë se përballja e parë zhvillohet më 20 mars 2025 në Fadil Vokrri, teksa ndeshja e kthimit tre ditë më vonë.

Me fitore, Kombëtarja e Kosovës promovohet në Ligën B për herë të parë në histori të saj, që do pasonte me renditje më të mirë në vazot për kualifikime, ndërsa me humbje do të vazhdojë të mbetet pjesë e Ligës C.

Kujtojmë se Dardanët më 13 dhjetor do të mësojnë edhe kundërshtarët në kualifikime për Kupën e Botës 2026, ku janë pjesë e vazos së katërt.

Lajme të ngjashme