Prishtina triumfon me përmbysje ndaj Llapit, vendos goli i 'dyshimtë' i Olivier
Prishtina ka shënuar fitore me përmbysje në Fadil Vokrri ndaj Llapit, për ta çuar në dy numrin e ndeshjeve të fituara me radhë në katër xhiro të zhvilluara.
Për tre pikët e kryeqytetasëve vendosi një gol mjaft i dyshimtë i shënuar në minutën e 76-të nga Marc Olivier.
Llapi i Tahir Batatinës ishte dy herë në epërsi gjatë takimit, por nuk arritën ta menaxhonin situatën në mënyrën më të mirë, për të humbur në fund.
Ahmed Januzi shënoi për epërsinë e llapjanëve në minutën e 33-të, me Elvir Gashijanin që asistoi.
Prishtina e barazoi rezultatin në minutat shtesë të pjesës së parë, ku Sobowale harkoi e Leonat Vitija shënoi me kokë.
11 minuta pasi filloi pjesa e dytë, Llapi e ktheu epërsinë me anë të Ilir Blakçorit, ndërsa Januzi kësaj radhe asistoi.
Kryeqytetasit arritën përsëri ta barazonin rezultatin, kësaj radhe me anë të një goli fantastik nga Albin Krasniqi, që gjuajti nga distanca, për ta mposhtur Ilir Avdylin.
Goli i dyshimtë i Marc Olivier në minutën e 76-të vendosi për fatin e takimit.
Gjyqtari anësor tha se topi kishte kaluar vijën, teksa këtë e konfirmoi edhe VAR me pamje aspak të mira të ofruara.
Si rrjedhojë, Prishtina në fund iu gëzua fitores me rezultat 3:2, duke shkuar tani në kuotën e shtatë pikëve pas tri ndeshjeve të zhvilluara në katër xhiro, pasi një nuk e ka luajtur.
Llapi në anën tjetër e pëson edhe humbjen e dytë në katër ndeshje, teksa ka një fitore dhe një barazim në përballjet tjera të zhvilluara.