Prishtina e harron shpejt Munishin, e mposht Ballkanin dhe kalon në gjysmëfinale të Kupës
Prishtina ka kaluar në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës, pasi e mundi 2:0 Ballkanin në çerekfinal të mërkurën, vetëm dy ditë pasi e shkarkoi trajnerin Ismet Munishi.
Prishtinës në gjysmëfinale i bashkohen Gjilani dhe Vushtrria. Çerekfinalja Llapi - Malisheva ka shkuar në vazhdime.
Të udhëhequr nga ndihmëstrajneri Debatik Curri pas shkarkimit të Munishit të hënën, bardhekaltrit bënë një lojë mjaftueshëm të mirë në Lipjan për ta kaluar favoritin dhe kampionin e Kosovës, Ballkanin.
Albion Rrahmani, e ftuar për herë të parë nga Kosova për ndeshjet e marsit, shënoi për Ballkanin herët në ndeshje, por goli i tij u anulua për pozitë jashtë loje.
Kreshnik Uka e kaloi Prishtinën në epërsi nga penalltia që e fitoi vetë në kohën shtesë të pjesës së parë.
Pak më shumë se 10 minuta pas pushimit mes pjesëve, Genc Hamiti e dyfishoi epërsinë e kryeqytetasve pas një aksioni të shkëlqyer dhe asistit nga Leotrim Kryeziu.
Prishtina është klubi me më së shumti trofe të Kupës së Kosovës në histori, shtatë, dhe synon ta fitojë atë për herë të parë pas tri viteve dhe ta sigurojë një vend në kualifikime për garat evropiane sezonin e ardhshëm.
Për Ballkanin, kjo nënkupton një mundësi tjetër e humbur për ta fituar kupën shtetërore për herë të parë në histori.
Prishtinës në gjysmëfinale iu bashkuan edhe Gjilani, që e mposhti 5:1 Trepçën ’89, dhe Vushtrria që e mundi 1:0 Beharin.
Çerekfinalja tjetër dhe e fundit mes kampionit në fuqi, Llapi dhe Malishevës ka shkuar në vazhdime, pasi ndeshja e rregullt përfundoi pa fitues 2:2.