Presidenti i UEFA-s: Messi do të duhej ta mbronte Mbappen nga ngacmimet e Martinezit
Presidenti i UEFA-s, Aleksandar Ceferin, ka thënë se Lionel Messi do të duhej të reagonte dhe ta mbronte bashkëlojtarin e tij te Paris Saint-Germain, Kylian Mbappe, nga ngacmimet ekstreme të bëra nga portieri i Argjentinës, Emiliano Martinez, gjatë dhe pas Kupës së Botës.
Argjentina triumfoi përballë Francës në finalen e Botërorit në penallti, me portierin e Aston Villës, që fitoi çmimin ‘Dorëza e artë’ për paraqitjet e treguara gjatë tërë turneut.
30-vjeçari tërhiqi vëmendjen e të gjithëve me veprimet kontroverse duke ngacmuar Mbappen e gjithashtu gjatë pranimit të çmimit festoi në një mënyrë që nga shumëkush u cilësua si e turpshme.

Një libër i ri i publikuar nga gazetari argjentinas, Sebastian Frest dhe ai francez Alexandre Juillard me titullin ‘Messianic’, thuhet se Ceferin nuk ishte i kënaqur me gjestet e Martinezit e gjithashtu me Messin që sipas tij mund të bënte diçka që të ndalonte ato ngacmime ndaj Mbappes.

Siç raporton Mundo Deportivo, Ceferin kishte thënë: “Nuk mund ta kuptoj pse Dibu e ngacmoi Mbappen. Messi do të duhej t’i tregonte atij që të shfaqte më shumë respekt për bashkëlojtarin e tij në PSG. Në fund të fundit, Messi ka luajtur për gjatë gjithë vitit me Kylian Mbappen. Nëse e shihni mënyrën e reagimit të tij gjatë penalltive.... Nuk mund ta kuptoj pse ai ngacmoi Mbappen, me kukullën e gjëra të tilla. Kjo nuk tregon sportivitet, ishte primitive dhe nuk më pëlqeu.”
Ceferin gjithashtu shtoi edhe për mënyrën e festimit me çmimin për portierin më të mirë të turneut, duke thënë se ishte një gjë e neveritshme.

“Kur ju fitoni Kupën e Botës! Tregoni madhështinë tuaj, tregoni që nuk jeni primitiv. Ju mund të jeni një portier shumë i mirë, por nëse nuk je një person i mirë, atëherë.....”

