Presidenti i Laligës: Real Madridi qan tërë kohën
Fjalosja mes presidentit të Laligës, Javier Tebas, dhe presidentit të Real Madridit, Florentino Perez, po vazhdon.
Tebas e ka thumbuar Real Madridin se po qahet vazhdimisht, edhe pse fiton njëlloj si klubet e Premierligës nga të drejtat televizive.
Madridi ishte ankuar se nuk po fitonte mjaftueshëm nga marrëveshja e LaLigës për të drejtat televizive për ndeshjet në ligë.
Por Tebas i ka hedhur poshtë ankesat e madrilenëve duke thënë: “Klubet tona në nivel kombëtar fitojnë njëlloj si ato në Premierligë.”
“Real Madridi qan shumë vazhdimisht, por nuk është e vërtetë, ata fitojnë njëjtë si Premierliga. Prandaj Real Madridi dhe Barcelona janë në krye të listës së klubeve me të hyrat më të larta. Nuk e di çfarë duan më shumë ata”, shtoi ai.
Tebas e goditi Perezin edhe për një çështje tjetër, krijimin e Superligës Evropiane, një temë që ende diskutohet mbrapa skenës në Real Madrid.
“Presidentin e Real Madridit e njoh për shumë vite, kam pasur shumë takime me të dhe e di se çfarë mendon ai për futbollin spanjoll dhe atë evropian. Ai dëshiron të luajë në një ligë të madhe dhe arsyetimi për t’u larguar është se Laliga është shumë e dobët dhe nuk gjeneron mjaftueshëm para për t’i përkrahur klubet e mëdha”.
“Perezi mashtron me Superligën, e cila e vret futbollin kombëtar dhe ai e di këtë, sepse nuk është budalla”, shtoi Tebas.