Presidenti i Federatës Braziliane e thotë hapur: Ancelotti i preferuari ynë
Presidenti i Federatës së Futbollit të Brazilit Ednaldon Rodrigues dëshiron që trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti të jetë pasuesi i Tites te kombëtarja e Brazilit.
E ardhmja e teknikut italian vazhdon të jetë në dyshime pasi lidhet me largimin nga Real Madrid, edhe pse publikisht gjithmonë ka deklaruar se do t’i qëndrojë deri në fund besnik kontratës.
Në një intervistë për beIN Sports, Rodrigues pranoi se Ancelotti është zgjedhja e preferuar e Federatës Braziliane.
“Nuk po them se Ancelotti ka një ofertë nga ne, por ne po shikojmë nëse ai dëshiron të vijë. Ne kemi një plan A dhe e them për herë të parë, nuk ka kuptim ta fshehim këtë, Ancelotti është i preferuari ynë”.
Ancelotti ka përsëritur vazhdimisht dëshirën për të respektuar kontratën e tij me Real Madridin e cila skadon në vitin 2024.
“Ekziston një thënie e bukur që i përshtatet këtij rasti: biseda është e lirë dhe unë kam një kontratë deri më 30 qershor 2024 dhe do të doja ta respektoja atë”, kishte deklaruar së fundmi tekniku italian.
“Los Blancos” të shtunën do ta zhvillojnë finalen e Kupës së Mbretit ndaj Osasunas, ndërsa kanë arritur në gjysmëfinalen e katërt të Ligës së Kampionëve nën drejtimin e Ancelottit (2013/14, 2014/15, 2021/22, 2022/23), ku do të përballen me Manchester Cityn për herë të dytë radhazi në gjysmëfinale.
Megjithatë, Madridi ka humbur titullin e La Ligas dhe në rast që dështon edhe në Ligën e Kampionëve ka gjasa që të shkarkohet Ancelotti, që pastaj do t’i hapte dyert për ta drejtuar Brazilin./Orselina Lazraj/