Presidenti i Barçës: Ia refuzuam 100 milionë euro Man Unitedit për De Jongun
Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka thënë se klubi bëri mirë që nuk e shiti Frenkie de Jongun në Manchester United verën e kaluar.
Kreu i Barçës zbuloi se klubi e kishte marrë një ofertë prej 100 milionë euro për mesfushorin holandez verën e kaluar.
Klubi vendosi ta hedhë poshtë ofertën dhe ta mbajë në skuadër lojtarin dhe Laporta beson se ishte vendimi i duhur.
Duke folur për Onze TV3, Laporta tha: “Vitin e kaluar, ne morëm një ofertë prej 100 milionë eurove për Frenkie de Jong... dhe ne bëmë mirë që nuk e shitëm atë. Ka lojtarë të cilët nuk duhet të jenë në treg”.
Manchester Unitedi ishte i etur për të nënshkruar me mesfushorin holandez dhe kishte mbajtur bisedime me Barcelonën për blerjen e tij.
Barcelona kishte shprehur gatishmëri ta shiste atë për një shumë të lartë, por De Jong e kishte bërë të qartë se nuk donte të largohej.
Në fund, Unitedi e bleu mesfushorin Casemiro nga Real Madridi.
De Jong është në qendër të projektit të trajnerit Xavi për të ardhmen, bashkë me Gavin dhe Pedrin.
Gjiganti katalonas do të ribashkohet muajin e ardhshëm për t’i nisur përgatitjet për sezonin e ri në SHBA, ku do të ketë edhe ndeshje miqësore me gjigantët si Real Madrid, Arsenal, Juventus dhe Milan.
