Potter: Ka hapësirë për t’u përmirësuar, por jam i lumtur me skuadrën
Graham Potter prej që ka marrë drejtimin e Chelseat e ka kthyer skuadrën në binarin e fitoreve. Vetë trajneri është i kënaqur me ecurinë e skuadrës, edhe pse e pranon se ka hapësirë për t’u përmirësuar.
Shifrat dhe statistikat flasin në të mirë të Potter, pasi gëzon shtatë fitore dhe ka humbur vetëm një ndeshje. Për ironi të fatit ndeshja që e humbi ishte kundër Brighton, ish-ekipin që e udhëhoqi deri në fillim të këtij sezoni.
Potter ka arritur që t’ia sigurojë ekipit cakun e parë: kualifikimin në fazën e eliminimit direkt në Ligën e Kampionëve, e cila ishte komprometuar paksa pas humbjes në “Maksimir” 1:0 ndaj Dinamo Zagrebit, gjë që kushtoi edhe me shkarkimin e Tuchelit.
Meqë tashmë kanë kaluar disa javë prej që ai është në udhëheqje të ekipit londinez, ka bërë një bilanc, ku ka folur rreth ecurisë së ekipit.
“Numrat thonë që kemi fituar shtatë (7) ndeshje, kemi bërë tre (3) barazime dhe kemi pësuar një (1) humbje. Bëhet fjalë për shumë ndeshje në të njëjtën kohë. Jam i lumtur me skuadrën dhe përgjigjet e marra nga ajo, edhe pse – natyrisht – ka shumë hapësirë për t’u përmirësuar”, shtoi ai.

Për ish-trajnerin e Brightonit një faktor goxha me ndikim në ndonjë lëkundje të formës të ekipit është edhe ai i mungesave të shumta si rrjedhojë e lëndimeve.
“Për sa i takon paraqitjeve ne mund të japim më shumë, por kur e sheh kalendarin e ndeshjeve të stërngjeshur dhe kur sheh të gjithë lojtarët e lënduar që kemi pasur – do thosha se kemi bërë paraqitje të mira”, përfundoi ai.
Ngecja në kampionat
Chelsea e mbylli Grupin E në Ligën e Kampionëve në vendin e parë falë 13 pikëve të arkëtuara, tre më shumë sesa Milan që përfundoi në vendin e dytë.
Në kampionat Chelsea zë vendin e 6-të me 21 pikë dhe është pikërisht aty ku ka ngecur më shumë, sepse tashmë ka hyrë në një ecuri jo të mirë rezultatesh, meqë në tre ndeshjet e fundit nuk njeh fitore, me një humbje dhe dy barazime.
Shkarkimi i Tuchelit në sytë e shumë opinionistëve sportivë është parë si i ngutshëm. Potter deri më tani ka qenë më i suksesshëm në Ligën e Kampionëve (duke iu referuar fazës së grupeve) sesa në kampionat, anipse deri para 19 tetorit kur barazoi 0:0 në udhëtim ndaj Brentfordit, po bënte mirë, pasi kishte fituar një numër të konsiderueshme ndeshjesh: 3 sosh.

