“Po diskutojmë kontratën e re”, Van Dijk konfirmon negociatat për rinovim
Mbrojtësi Virgil van Dijk ka konfirmuar se është në negociata për ta rinovuar kontratën me Liverpoolin.
Holandezit i skadon kontrata aktuale në fundin e sezonit, ndërsa para disa javëve kishte deklaruar se “Reds” ende s’e kanë informuar për planet afatgjatë.
Megjithatë, situata tani ka ndryshuar dhe pas fitores ndaj Chelseas, Van Dijk konfirmoi se negociatat po vazhdojnë.
“Po, bisedimet po vazhdojnë me njerëzit e duhur për të diskutuar kontratën time të re te Liverpooli”.
“Kur të jetë koha për të marrë vendimin, të gjithë do ta dini”.
“Por, tani i tërë përqendrimi im dhe fokusi është vetëm te Liverpooli, që të kemi një sezon të suksesshëm të gjithë së bashku”, deklaroi holandezi.
Liverpooli ka nisur punën për t’ua rinovuar kontratën disa yjeve, ndërsa në listë është edhe Trent Alexander-Arnold, i cili po kërkohet me ngulm nga Real Madridi.
“Reds” përndryshe po garojnë për titullin kampion në Angli, ku momentalisht janë lider, mbi Manchester Cityn ndërsa në vikend i pret përballja e vështirë kundër kandidatit tjetër për titull, Arsenal.