Përzgjedhësi maroken: Do të luajmë për Afrikën dhe botën arabe
Përzgjedhësi i Kombëtares së Marokut, Walid Regragui, ka folur në vigjilje të ndeshjes çerekfinale që kombëtarja që drejton ai do ta luajë nesër ndaj Portugalisë. Ai ka thënë se kanë mbështetje nga të gjithë Afrika dhe bota arabe.
Sensacioni më i madh i kësaj Kupe të Botës deri tani ka qenë Maroku, që u kualifikua para Belgjikës në fazën e grupeve dhe më pas eliminoi edhe Spanjën në 1/8 për ta prekur çerekfinalen.
Përzgjedhësi Regragui thotë se kombëtarja e tij akoma ka hapësirë që të japë më shumë: “Jemi në atë gjendje saqë jemi të gatshëm të japim gjithçka për vendin tonë. Një kombëtare duhet t’i japë emocione popullit të vet. Nuk duam të ecim mbi re. Mund të japim akoma shumë në këtë Botëror.”

Regragui nuk la pa përmendur edhe faktin se janë kombëtarja e parë arabe që e arrinë një cak të tillë në Botëror, duke thënë se ndjejnë përkrahje të madhe edhe nga të gjithë bota arabe.
“Do të luajmë për Afrikën dhe botën arabe. Jemi kombëtarja e parë arabe që ka arritur ta sigurojë çerekfinalen dhe mendoj që tifozët mund të na ndihmojnë që ta shkruajmë historinë. Shumë njerëz po luten për ne”, nënvizoi a.
Pikat e dobëta të Portugalisë
Portugalia vjen nga një formë shumë e mirë, kur në 1/8 mposhti Zvicrën me një rezultat të thellë prej 6:1. Sidoqoftë, përzgjedhësi i kombëtares afrikane sheh të meta edhe te portugezët, megjithëse i vlerëson tej mase për cilësitë që posedojnë.
“Do të jetë një ndeshje ndaj lojtarëve që janë kampionë të vërtetë siç janë ata të Portugalisë, që luajnë në klubet më të mira të botës. Ata – si të gjithë kundërshtarët – dinë cilat janë pikat tona të dobëta, por edhe edhe ata i kanë ato të vetat”, tha ai.

Portugalia llogaritet favorite për të kaluar në gjysmëfinale. Sido që të jetë, përzgjedhësi maroken vlerëson se ndeshja e nesërme do të jetë e ekuilibruar siç kanë qenë të tjerat.
“Do të jetë një ndeshje e ekuilibruar siç kanë qenë edhe ato parapraaket. Askush nuk e priste që do të arrinim deri në 1/8, e aq më pak në çerekfinale, por ja që jemi këtu. Dhe, nuk e kemi ndër mend që të vetëkënaqemi me kaq”, përfundoi ai.

Maroku mposhti Spanjën pas ekzekutimit të penalltive, pasi 120 minutat përfunduan me rezultatin baras, 0:0. Pritjet e njëpasnjëshme të portierit Bono bënë që marokenët ta prenin biletën për në çerekfinale.
Ndeshja ndaj Portugalisë do të nisë nesër me fillim në ora 16:00. Mijëra tifozë marokenë kanë vërshuar rrugët e Katarit për t’i qëndruar në përkrahje kombëtares së tyre.

