'Përvojë të jashtëzakonshme', por a do të luajë Ronaldo nga fillimi për Portugalinë?
Trajneri i Kombëtares së Portugalisë, Roberto Martinez, ka thënë se Cristiano Ronaldo ka përvojë të jashtëzakonshme në gara madhore si kjo që do të mbahet pas pak ditësh, duke aluduar se ai do të jetë në formacionin startues, pavarësisht moshës së tij.
Me afrimin e shpejtë të EURO 2024, një nga favoritët para turneut po mendon se çfarë roli do të luajë sulmuesi i tyre me numrin 7. Ronaldo mund të jetë një nga më të mirët që ka zbukuruar ndonjëherë një fushë futbolli, por ai tani është 39 vjeç dhe luan me klubin e tij në Ligën Pro Saudite për Al Nassr.

Ai asnjëherë nuk ka qenë më i përkushtuari për punën në mbrojtje, pavarësisht se shpesh i kërkohet të bëjë presion nga vija sulmuese, dhe kjo ka bërë që disa të pyesin nëse ai duhet të startojë për vendin e tij në një tjetër kompeticion të madh. Martinez për Ronaldon tha: “Është e rëndësishme për ne të sulmojmë dhe të mbrohemi me 11. Cristiano ka përvojë të jashtëzakonshme (brutale). Nuk ka asnjë tjetër me këtë përvojë. Ai është një lojtar që di shumë mirë të përdorë hapësirën në zonë dhe është një përfundues i veçantë i aksioneve, një lojtar i veçantë. Fokusi i Cristianos, reagimi ndaj humbjes dhe pozicionet mbrojtëse ishin perfekte gjatë ndeshjeve që luajtëm, 11 ndeshjet e fundit. Kështu që për mua nuk ka dyshime, nuk ka shqetësime.”
Ronaldo po përballet gjithashtu me pyetjet nëse ai mund të përballojë kërkesat e këtij turneu, ku lojërat vijnë me nivel të lartë dhe të shpeshta, por Martinez për sulmuesin që shënoi 50 gola gjatë sezonit 2023-24, tha: “Çfarë ndodh me turnetë evropianë dhe botërorë, është që duhet të vlerësojmë çdo ditë, të gjitha ndeshjet kanë rrjedhje të ndryshme. Cris pati 51 ndeshje sezonin e kaluar dhe nuk pati probleme për të luajtur të gjitha ndeshjet, ai luajti shumë gara, por datat në nivel klubesh nuk janë të njëjta si në nivelin e ekipit kombëtar. Mendoj se nuk ka asnjë problem, por ne e vlerësojmë këtë në kohë reale dhe gjatë turneut.”

Portugalia do të jetë në aksion miqësor ndaj Republikës së Irlandës të martën, teksa përfundon përgatitjet për Kampionatin Evropian, ndërsa aksioni garues do të rifillojë më 18 qershor kur do të përballet me Çekinë.