Përmbledhje e Ligës së Kombeve: Danimarka e trondit Francën, Holanda e shkatërron Belgjikën, fiton bindshëm edhe Austria
Sot janë zhvilluar edhe shtatë takime tjera të xhiros së parë në Ligën e Kombeve, ku vëmendja ishte tek ndeshjet Francë – Danimarkë dhe Belgjikë – Holandë.
Më poshtë mund të lexoni raportin e detajuar nga këto dy ndeshje si dhe përmbledhjet nga ndeshjet tjera të zhvilluara sot.
Raporti i ndeshjes Belgjikë – Holandë dhe Francë – Danimarkë:
Belgjikë – Holandë:
Në grupin 4 të Ligës A është zhvilluar ndeshja kryesore, ajo mes Belgjikës dhe Holandës. Dy kombëtare nga dy vende fqinje, mendohej se do të prodhonin të paktën një futboll më atraktiv dhe bashkëkohor, por kështu nuk ndodhi. Në fakt, ajo çfarë u vu re ishte një supremaci e Holandës, përkundër disavantazhit në letër që luante si mysafir.
Ndeshja nisi me Belgjikën që ishte më e rrezikshme në çerekun e parë të lojës. Zhvillohej minuta e 14-të kur Castagne pranoi në mënyrën më të mirë të mundshme një top në 16-metërsh, por goditja e tij u ndal nga shtylla.
Nga ky moment filloi dominimi i Holandës në çdo segment të lojës. Fillimisht ishte Berghuis që shpërdoroi një mundësi të artë shënimi në afërsi të portës. Shtatë minuta më vonë edhe Bergwijn iu afrua golit ndjeshëm, por Mignolet shpëtoi portën belge.
Porta u shkund tek në minutën e 41-të kur Bergwijn realizoi një gol tejet të bukur nga distanca, duke u dhënë "tulipanëve" epërsinë me rezultat 0:1.
Kështu shkuan kombëtaret në pushim në mes të dy pjesëve.
Edhe pjesa e dytë nisi me të njëjtën pasqyrë. Holanda ishte larg më kërkuese dhe dominuese.
Nuk vonoi shumë dyfishimi i epërsisë me Memphis Depay, i cili erdhi në minutën e 51-të, kur sulmuesi i Barcelonës shfrytëzoi siç është më së miri një pasim të bukur nga Berghuis.

Në vazhdim u pa një Belgjikë e shthurur dhe, në anën tjetër, një Holandë me vetëbesim të lartë. "Tulipanët" shumë shpejt arritën ta thellojnë epërsinë. Këtë e bënë duke shënuar dy gola të shpejtë me Dumfries dhe Depay, në minutën e 62-të dhe 66-të, me rezultatin që shkoi në shifrat 0:4.
Në minutat e mbetura ra ritmi i lojës dhe vetëm fishkëllima e fundit e gjyqtarit pritej për t'i dhënë fund ndeshjes. Belgjika shënoi me Castagne në minutën e 78-të, por gjyqtarët në dhomën e VAR-it duke e rishikuar rastin vendosën ta anulojnë golin, për arsye që u evidentua se aksioni ishte në pozitë jashtë lojë.
Golin e nderit Belgjika arriti ta shënojë në minutën e tretë shtesë, respektivisht në atë të 93-en. Batshuay e çoi në rrjetë topin e pranuar nga mbrojtësi me përvojë Alderweireld, për ta ngushtuar rezultatin në 1:4.
Kështu edhe përfundoi ndeshja, me Holandën që e mposhti Belgjikën dhe demantuar parashikimet e shumëkujt, duke ngadhënjyer me sukses në terrenin belg.

Francë – Danimarkë:
Ndeshja e zhvilluar në Stade de France ishte për t’u harruar për Francën. Ishte Danimarka më kërkuese gjatë gjithë ndeshjes dhe kështu arriti edhe fitoren e shumë kërkuar.
Pjesa e parë e takimit filloi me një futboll më kërkues nga Danimarka, e cila menjëherë tentoi të shënojë me dy raste të shpejta, por francezët ishin me fat, e pastaj dalëngadalë ata filluan ta marrin një dominim të lehtë në ndeshje.
Rasti i parë i takimit i takoi Danimarkës, ku në minutën e katërt të takimit Kasper Dolberg u gjend në një pozitë të favorshme për gol, por që goditja e tij ishte për t’u harruar.
Menjëherë pas tij një rast të mirë pati edhe bashkëlojtari i tij, Joakim Maehle, por që goditja për fat të keq të tij përfundoi në shtyllë.
Rasti i parë për francezët erdhi në minutën 9-të, ku Antoine Griezmann goditi nga larg, por që Kasper Schmeichel e kontrolloi lehtë topin.
Në minutën e 15-të takimit erdhi goli për francezët, por që u anulua për pozitë jashtë loje, pasi Karim Benzema ishte shumë më i avancuar e këtë e konfirmoi edhe dhoma e VAR-it.
Pas 15 minutave pa raste, pikërisht në minutën e 30-të, ishte Kylian Mbappe me një rast tepër të mirë për gol, por portieri i Danimarkës ishte në vend me një pritje mjaftë të mirë.
Në vazhdim të pjesës së parë nuk pati raste tjera shënimi me ç’rast 45-minutëshi i parë përfundoi pa gola 0:0.
Pjesa e dytë ishte me frymë krejt tjetër, ku skuadrat u treguan më të sakta sa i përket konkretizimit të rasteve.
Ishte Franca ajo që gjashtë minuta pasi filloi pjesa e dytë, me një veprim të jashtëzakonshëm individual të Benzemas e dërgoi topin mbrapa krahëve të Schmeichel.
Gëzimi në kampin francez zgjati 17 minuta, ku Pierre-Emile Hoejbjerg dërgoi një harkim gjysmë të lartë në zonë, e ku u gjend tepër mirë Andreas Cornelius për ta dërguar qetësisht topin në portë në minutën e 68-të, për rezultatin 1:1.
Në minutën e 71-të të takimit Danimarka e kërkoi sërish golin, por goditjen me kokë të Rasmus Nissen e ndali Hugo Lloris.
10 minuta më vonë, përkatësisht në minutën e 81-të, Kante goditi fuqishëm, por topi goditi shtyllën e cila e shpëtoi mirë kësaj radhe portierin danez.
Dy minuta para përfundimit të kohës së rregullt, Danimarka shënoi për golin e epërsisë dhe të fitores. Ishte sërish Cornelius i cili shënoi me një goditje të fortë në këndin e Hugo Llorisit, për rezultatin përfundimtar 1:2 për Danimarkën.

Përmbledhja e ndeshjeve tjera:
Në ndeshjen tjetër të grupit 1, ku u takuan Kroacia dhe Austria, këta të fundit i demoluan ballkanasit me rezultat 3:0.
Golin e parë e shënoi Marko Arnautovic në minutën e 41-të, e dy golat tjerë erdhën në pjesën e dytë. Fillimisht për dyfishim të epërsisë shënoi Michael Gregoritsch në minutën e 54-të e pas tre minutave, përkatësisht në minutën 57-të, shënoi Marcel Sabitzer për rezultatin final 3:0.

Në ligën C u zhvilluan dy ndeshje, të dy këto nga grupi 3 e ku u takuan: Kazakistani – Azerbajxhani dhe Bjellorusia – Sllovakia.
Ndeshja mes Kazakistanit dhe Azerbajxhanit përfundoi me fitoren e vendaseve me rezultat 2:0, me të dy golat e shënuar në pjesën e dytë. Të dy golat i shënoi Abat Aimedov, në minutën 50-të dhe 57-të.
E në ndeshjen tjetër të këtij grupi mes Bjellorusisë dhe Sllovakisë, epilogu foli në të mirë të mysafirëve, të cilët fituan falë golit të minutës së 61-të nga Tomas Suslov dhe, kësisoj, arkëtuan tri pikët e parë.

Liga D gjithashtu pati dy takime nga grupi 1, ku u takuan: Letonia dhe Andorra dhe Lihtenshtajni dhe Moldavia.
Letonia e mposhti lehtësisht Andorrën me rezultat 3:0, me dy golat e Roberts Uldriks (9’, 77’) dhe nga penalltia shënoi Janis Ikaunieks në minutën e 85-të.
Në takimin tjetër të këtij grupi, Moldavia e mposhti Lihtenshtajnin me rezultat 2:0 me një gol të fillim të ndeshjes dhe një tjetër në minutat shtesë. Në minutën e pestë nga penalltia shënoi Ion Nicolaescu, ndërsa rezultatin përfundimtar e vulosi Vadim Bolohan në minutën 90+2.
