Përgjigja brilante e lojtarit të SHBA-së, pasi gazetari iranian e pyet pse po e "përfaqëson një shtet racist si Amerika"
Gazetarët iranianë e përdorën konferencën për media të hënën për t’i pyetur lojtarët amerikanë se si ndihesh që e përfaqësojnë “një vend racist”, si dhe i kritikuan se po e shqiptonin keq emrin e vendit të tyre.
Ndeshja mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara është vendimtare për të dyja kombëtaret në Kupën e Botës 2022, por ajo është rrethuar nga çështjet politike po ashtu, pas një konference të çuditshme për media që i theksoi edhe më shumë tensionet mes këtyre dy vende.
Një gazetar nga Press TV – një televizion iranian në gjuhën angleze – tha: “Së pari, ju thoni se e përkrahni popullin e Iranit por ju po e shqiptoni keq emrin e këtij vendi. Emri i vendit tonë është Iran, jo ‘Ajran’.”
“Së dyti, a ndiheni në rregull që e përfaqësoni vendin tuaj në të cilin ka aq shumë diskriminim ndaj zezakëve brenda kufirit të vet?” pyeti ai.
Adams, i cili ka hënë amerikane të bardhë por baba biologjik afro-amerikan, iu përgjigj: “Ju kërkoj falje që e kam shqiptuar keq emrin e vendit tuaj”.
“Përveç tjerash, diskriminim ka kudo që të shkosh, por në SHBA ne po bëjmë përparim të vazhdueshëm çdo ditë...gjëja më e rëndësishme është të bësh përparime”, shtoi Adams.
Here is Tyler Adams with a brilliantly-handled response after being told he pronounced Iran wrong. He was also asked about discrimination against black people in America. This is why he’s #usmnt captain.👏 pic.twitter.com/NCCMjMoGef
— Ben Jacobs (@JacobsBen) November 28, 2022
Fituesi i kësaj ndeshjeje, që do të luhet sonte në orën 20:00, do të kalojë në rrethin e 16 më të mirëve në Kupën e Botës në Katar nga Grupi B.
Para kësaj përballjeje, Federata e Futbollit e Amerikës i përkrahu gratë në Irani duke mos e përdorur flamurin e Shtetit Islamik të Iranit në postimet e veta në rrjetet sociale.
Në Iran janë duke u mbajtur protesta të mëdha që prej vrasjes së 22-vjeçares Mahsa Amini, e cila vdiq në paraburgim pasi ishte arrestuar nga e ashtuquajtura policia e moralit sepse nuk e kishte vendosur siç duhet shaminë në kokë.
Federata e Futbollit e Iranit ishte ankuar në FIFA ndaj SHBA-së që e kishte përdorur flamurin iranian pa emblemën islamike dhe pa mbishkrimin “Allah”, të cilat i ishin shtuar flamurit në vitin 1980.
Federata amerikane tha se me këtë donte t’iu ofronte përkrahje grave në Iran të cilat po luftojnë për të drejtat e veta themelore.
Gratë në Iran e kanë të ndaluar të shkojnë në stadium për të shikuar ndeshje të futbollit të burrave tash e 43 vite.
Irani po ashtu i kërkoi FIFA-s që SHBA-ja të përjashtohej nga Kupa e Botës plotësisht.
