Përballja e Madhe
Gjatë fundjavës do të luhet ndeshja më e rëndësishme brenda këtij sezoni të Premierligës - Manchester City kundër Liverpool, dy gjigantët e futbollit evropian, me dy trajnerët më të mirë për momentin, do të vihen përballë njëri-tjetrit, në atë që figurativisht mund t’i ngjajë një luftë gladiatorësh, për gjithçka ose asgjë. Të dhënat në letrat ekzistuese tregojnë që këto dy ekipe janë ndër më të mirat [në mos më të mirat] në historinë e ligës, me Man Cityn që ka grumbulluar 338 pikë që nga fillimi i sezonit 2018/2019, me një mesatare prej 2,32 pikë për ndeshje, derisa Liverpooli ka arritur 337 sosh, me një mesatare prej 2,31 pikëve. Legjenda e futbollit anglez, Ian Wright, deklaron se ajo që këto dy ekipe po bëjnë, është frymëzuese për çdo ekip tjetër. Në një formë të ngjashme, Gary Neville pohon, se këta numra dëshmojnë faktin se jemi me fat meqë jemi bashkëkohanik të garës më cilësore që liga angleze ka arritur. Ndërsa Carragher, ish-futbollist i Liverpoolit, tani ndër analistët e dalluar, në kolumnën e tij për ‘The Telegraph’, shkruan se kjo ndeshje është “shndërruar në më të madhën, më intensiven dhe në ndeshjen me rivalitetin më të madh ndonjëherë në historinë e futbollit anglez”.
Për më tepër, ndeshjen joshëse e bënë gjendja momentale në tabelën e klasifikimit – aty ku ekipi i Guardiolës po prin me 73 pikë, ndërsa Liverpooli është i pozicionuar pothuajse ngjitur, me 72 pikë. Veç kësaj, gjendja e dy ekipeve, në kuptim të mungesave të mundshme, premton një ndeshje të jashtëzakonshme – pasi që të dy ekipet janë, pothuajse, të paprekura.
Derisa Jurgen Klopp nuk pajtohej ta quante gjithë këtë kampanjë diç me tepër së një tentim për të garuar; çuditërisht, Guardiola përgjatë muajit shkurt pohonte me siguri të madhe se e dinte edhe sa pikë i nevojiteshin për titullin kampion. Gjërat nuk rrodhën siç ai pretendoi, kjo edhe për meritë të ekipit të Kloppit, i cili, në dhjetë ndeshjet e fundit, përveç që ka fituar, ka shfaqur paraqitje bindëse duke pranuar vetëm 2 gola.
Kësisoj, gjatë rrugës dallimi vetëm afrohej, duke shtuar presionin mbi Cityn, ndërsa lojërat psikologjike të Kloppit, i cili, gjatë gjithë kohës ftonte të fokusoheshin në ndeshjen e radhës, deri në këtë pikë u dëshmuan tejet të suksesshme.
Kjo përballje nuk shënohet vetëm si një ndeshje e dalluar në mes dy pretendentëve për trofeun e ligës, por edhe si ballafaqim mënyrash e sistemesh të ndryshme të lojës, të cilat në vete, thuajse janë të përkryera. Kësisoj, për ekspertët dhe dashamirët e futbollit, kjo ndeshje paraqet ndeshjen në mes modelit të futbollit me pasime të shpeshta dhe posedim të tepërt, të njohur si tika-taka, filozofi e adaptuar nga Pep Guardiola dhe modelit të gegen-pressingut, të aplikuar nga trajneri gjerman Klopp, qasje kjo që mund të reduktohet në një strategji futbolli njëmend aktiv dhe fizik, të mbështetur në përpjekje të vazhdueshme kundërsulmuese. Për të ofruar një analogji shtesë, në një botë tingujsh muzikor, Klopp, pandehte se futbolli i tij do të ngjante me muzikën e metallit, ndërsa futbolli i Guardiolës, i ngjanë më tepër një futbolli [dominues] total.
Gjithashtu, kjo ndeshje mund të vlerësohet edhe në një këndvështrim më të personalizuar, si një sfidë mes Guardiolës dhe Kloppit. Përballjet mes tyre kishin filluar qëmoti, më saktësisht gjatë kohës kur njëri drejtonte Bajernin, e tjetri Dortmundin. Qëkur, ndeshjet janë të mbushura me kontakte të drejtpërdrejta mes tyre, pranë vijave të fushës, me reagime e lirim emocionesh, prandaj mund të thuhet se në mes të këtyre dy trajnerëve të mëdhenj, ka një lidhje rivaliteti të themeluar thellësisht. Bilanci i barabartë i ndeshjeve në mes këtyre dy trajnerëve, dëshmohet edhe nga leximi i numrave të ndeshjeve të ndërsjella, ku nga 21 ndeshje të dy trajnerët kanë nga 9 të fituara, me 3 ndeshje të tjera të përfunduara baras. Madje, vetë Guardiola pranon se Kloppi ka qenë rivali më i madh i tij gjatë karrierës si trajner.
Drejt kësaj ndeshjeje, skuadra e Klopp vjen pas një përballjeje të mirë me Benfikën në Ligën e Kampionëve, të cilën e fitoi me 3:1. Ngjashëm, Manchester City vjen nga një rezultat pozitiv kundër Atletico Madridit – një fitore që çuditërisht përfundoi me rezultat të ngushtë, vetëm 1:0. Në këtë klimë rezultatesh të suksesshme, skena e kësaj ndeshje po parashkruhet.
Trajneri gjerman Klopp, në paraqitjen për media është shfaqur qetësisht me një qasje tipike të tij, ai tentoj t’ia zbehë rëndësinë ndeshjes, duke pohuar se në lojë janë vetëm tri pikë, për të cilat ata do të provojnë të bëjnë çdo gjë për t’i fituar, mirëpo që nuk vendosin garën. Po ashtu, ai vazhdoj, një pjesë e meritës në rritjen e paraqitjeve të ekipit të Liverpulit ka ndikuar edhe garimi me Man Cityn. Më tutje, ai e lavdëroi trajnerin e “qytetarëve”, i cili sipas tij, është “trajneri më i mirë në botë”. Ai përfundoi duke thënë se në ndeshje si kjo, ekipi i tij duhet të jetë në më të mirën e tij për të nxjerrë ndonjë rezultat pozitiv.
Ndërsa trajneri Guardiola, javët e fundit vazhdoi të thurë lëvdata për klubin e Liverpulit, të cilin, më parë e kishte cilësuar “ekipin më të mirë kundërshtar” – rrjedhimisht ai pohoi se edhe “ndeshja e radhës do të jetë tejet e vështirë për t’u fituar”. Fjalët e trajnerit katalonas, në paraqitjet për media, në një anë kufizohen në shprehje admirimi për klubin kundërshtar, gjersa në anën tjetër duke i ftuar në garë ai iu shpalli “luftë” për ndeshjen e fundjavës. Ai pohoi se janë tri pikë masive, por jo përcaktuese.
Kjo ndeshje, po tërheq vëmendje të jashtëzakonshme në botën e medias dhe figura të shquara të futbollit ishullor, këtë ndeshje e përkufizonin si vendimtare. Ndër këta njerëz edhe Jason Burt, korrespodenti kryesor për futboll në “The Telegraph”. Ai pretendon se fituesi i kësaj ndeshjeje, nëse ka një të tillë, do të përmbyllë kampionatin në fronin e liderit. Ndërsa komentuesi i njohur i ligës angleze në Kosovë, Arbër Avdyli, ndonëse nuk pohon se kjo ndeshje do të përcaktojë fituesin e krejt ligës, mendon se “fituesi do të hedhë hapa gjigant drejt këtij synimi”. Në çfarëdo situate, interesimi për të shikuar këtë ndeshje mbetet i jashtëzakonshëm – e tillë pritet të jetë edhe vetë ndeshja.