Për dallim nga lojtarët, Gerrard rinovon me Al Ettifaq
Trajneri Steven Gerrard pritet të mos ndjekë rrugën e shumë yjeve që po duan rikthimin në Evropë, pasi ka arritur marrëveshje për rinovimin e kontratës edhe për dy vite me Al Ettifaq.
Legjenda e Liverpoolit e mori drejtimin e klubit në korrik dhe nuk është që ka shkuar më së miri, duke regjistruar gjashtë fitore në 19 paraqitje në ligë, ku renditen në pozitën e tetë.
Sidoqoftë, Al Ettifaq ka besim të plotë te Gerrad, me të cilin është pajtuar për vazhdimin e kontratës edhe për dy vite.
Ish mesfushori ka besim të plotë te projekti i skaudrës arabe, andaj edhe ka pranuar menjëherë rinovimin e kontratës, që do ta mbajë në Arabinë Saudite së paku deri në vitin 2027.
Gerrad shpreson se Al Ettifaq do të vazhdojë të sjellë emra të mëdhenj pas largimit të Henderson, pra emra si Gini Wijnaldum dhe Moussa Dembele.
“Duhet të jemi më agresiv dhe na duhet të bëjmë më shumë ndryshime për ta bërë skuadrën më garuese”, tha Gerrad muajin e kaluar.
“Duhet të jemi aktiv në këtë afat dhe gjithashtu edhe në verë, kjo do të thotë biznes sepse duam të jemi garues për kreun e ligës dhe nuk jemi askund afër për momentin”.
“Është gjë e përbashkët, lojtarët këtu duhet të japin më shumë dhe shpresojmë se do të jemi në gjendje të bëjmë ndryshime në klub dhe skuadër”.
“Në fundin e janarit pres të jemi më ndryshe, fortë dhe me skuadër më garuese”.
Tani, mbetet të shihet nëse Al Ettifaq do të bëhet aktive në këtë afat dimëror dhe të bëjë ndonjë transferim të madh nga Evropa.