Pep Guardiola e pranon se Manchester City do të frikësohet sonte përballë Arsenalit
Pep Guardiola e ka pranuar se ai dhe lojtarët e tij do të frikësohen para përballjes me Arsenalin për titull sot në Etihad Stadium.
Guardiola ka përvojë tejet të madhe dhe është ndër trajnerët më të trofeshëm në histori, me 30 trofe të mëdhenj, por thotë se prapëseprapë ndihet në ankth për shkak se do të përballet me liderin e ligës.
“Unë menaxhoj mirë, por kjo është shenjë e mirë, pra të jesh paksa nervoz”, tha Guardiola të martën në konferencë për media.
“Njerëzit në shoqëri, adoleshentët, të gjithë janë psikologë për shëndetin mendor, sepse ata nuk e pranojnë se të jesh nervoz është pjesë e jetës sonë, të jesh në ankth është pjesë e jetës sonë, të jesh i frikësuar është pjesë e jetës sonë, dhe asgjë nuk ndodh. Ne nuk kemi nevojë të jemi të përkryer. Kur i edukojmë fëmijët tanë, ata duhet të jenë të përkryer për Instagram dhe TikTok dhe këso gjërash – ata duhet të jenë gjeni”, nënvizoi ai.
Guardiola e shijon ankthin që e përjeton para ndeshjeve të tilla.
“Kur e ndiej atë ndjesi, e di që është normale. Problem do të ishte nëse nuk do ta kisha këtë ndjesi. Më pëlqen t’i përjetoj adrenalinat e tilla, por në fund fle shumë mirë”, theksoi ai.
Edhe ekipi i tij do të jetë nervoz para ndeshjes. Trajneri spanjoll shtoi: “Ata kanë përvojë, po ashtu. Të gjithë duhet ta gjejnë meditimin e vet për t’u përgatitur për atë që kanë nevojë, qoftë duke dëgjuar muzikë apo çfarëdo që kanë nevojë. Por ekipi është i gatshëm për një betejë të madhe – e di sa e vështirë do të jetë”.
Arsenali i ka fituar vetëm tri pikë nga nëntë pikët e mundshme në tri ndeshjet e fundit, duke bërë që epërsia e tij në krye të tabelës të zvogëlohet në vetëm pesë pikë.
City, i cili ka dy ndeshje më pak të zhvilluara, do ta fitojë titullin në Premierligë nëse i fiton tetë ndeshjet që i kanë mbetur.
