Mikel Arteta: Ndeshja e nesërme me Man City s’e vendos titullin, Xhaka në dyshim
Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka ngulur këmbë se përballja e së mërkurës mes skuadrës së tij dhe rivalit Manchester City nuk do ta vendosë garën për titull në Premierligë, ndërkohë që zbuloi se Granit Xhaka është në dyshim për këtë ndeshje.
Arsenali do ta vizitojë Etihadin për t’u ndeshur me kampionin në fuqi për mbase ndeshjen vendimtare në garë për titull këtë sezon në ligë, në një çast kur të dy skuadrat janë në një ecuri të gjatë pa humbje por me City në formë mbase më të mirë.
Skuadra e Artetës është në një ecuri prej tri barazimeve radhazi, të cilat kanë ngritur dyshime për mentalitetin e skuadrës së tij në kohën vendimtare të sezonit.
Trajneri spanjoll mendon se skuadra e tij duhet të luajë në mënyrë të përkryer në gjashtë ndeshjet e fundit për ta fituar titullin.
“Nëse ne fitojmë nesër mbrëma, nuk e kemi fituar ligën, kjo është e sigurt. Do ta ndryshojë përqindjen paksa, por me pesë ndeshje të mbetura pas kësaj, do të jetë shumë triki”, tha Arteta.

Ai shtoi: “Ne deshëm ta ngushtojmë hendekun sa më shumë dhe jemi kokë me kokë me ta. Ne e dinim se duhej të vinim në Etihad. A do ta përcaktojë sezonin kjo? Përgjigja është jo”.
Topçinjtë do të jetë pa mbrojtësin kryesor William Saliba, ndërkohë që në dyshim është edhe mesfushori kosovar i Zvicrës, Granit Xhaka.
Xhaka mungoi në barazimin 3:3 me Southamptonin të premten për shkak të sëmundjes dhe mund të mungojë edhe nesër.
“Po, Graniti ka munguar. Shpresojmë se ai do të jetë në gjendje të stërvitë sot, por ende është në dyshim”, tregoi ai./Nacionale/
