Pejës i kthehet bumerang tentimi për t’u tallur me Prishtinën në mesazhin e urimit për titull - NACIONALE

Pejës i kthehet bumerang tentimi për t’u tallur me Prishtinën në mesazhin e urimit për titull

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Pejës i është kthyer bumerang përpjekja për ta tallur rivalin Prishtina në një shkrim në rrjetet sociale, ku klubi nga kryeqyteti e kishte uruar atë për fitimin e titullit të kampiones së Kosovës në basketboll.

Peja e fitoi titullin e parë në Superligë pas plot 10 viteve të enjten pasi e mundi Trepçën në ndeshjen e pestë finale 91:93.

Prishtina, që kishte humbur në gjysmëfinale të play-off’t përballë klubit mitrovicas, e uroi klubin pejan për titullin e shumëpritur përmes një mesazhi në Facebook një ditë më vonë.

“KB Peja, pas një pritje të gjatë, Urime titullin e fituar me meritë dhe nder! Sporti mbi të gjitha e basketbolli mbi të gjithë. Shihemi sezonin e ardhshëm”, shkroi klubi bardhekaltër.

Derisa i shprehu falënderim, Peja nuk u përpoq edhe ta thumbojë rivalin e vet njëkohësisht duke i komentuar se i nevojitet një raft i ri për vendosjen e trofeut.

“Faleminderit Prishtinë. A na dërgoni një kontakt për rafte kush i punon? Po na duhet për kupën e re. Shihemi sezonin tjetër, punë të mbarë!”, i komentoi admini i Pejës, Prishtinës në postimin falënderues.

Përgjigja e Prishtinës ishte plotësisht e jashtëzakonshme.

“Për raftin e parë ka dyqane në krejt qytetet. Për raftin e dytë dhe të tretë është një dyqan i mirë në Prishtinë. (Në DM jua dërgojmë adresën). Për raftin e katërt një dyqan është në Samokov e një në Bar. Për raftin e pestë në Izmir dhe në Varese të Italisë. Faleminderit për respektin. Na pret sezon e zjarrtë të gjithëve”.

Prishtina po i referohej titujve të shumtë në Superligë, 14, që është më shumë se dyfishi i Pejës, 6.

15 Kupave të Kosovës krahasuar me 6 të Pejës dhe 8 Superkupave të Kosovës krahasuar me 2 të Pejës.

Klubi kryeqytetas iu referua po ashtu edhe triumfit të dyfishtë në Ligën Ballkanike, në Samakov të Bullgarisë dhe në Bar të Malit të Zi, si dhe pjesëmarrjes në FIBA Europe Cup, ku kishte shkuar deri në mesin e 16 më të mirëve - suksese që Peja s'i ka shijuar asnjëherë.

Lajme të ngjashme