Pas Zybës, edhe Nazmi Gripshi në Poloni
Jo vetëm Qëndrim Zyba, edhe mesfushori sulmues Nazmi Gripshi është pranë kalimit në kampionatin polak te Cracovia.
Mediumi polak “sport.tvp.pl” ka konfirmuar raportimet e fundit se transferimi i Gripshit nga “Xhebrailat” te Cracovia është thjesht çështje kohe.
“Mund të konfirmojmë raportimet e fundit për transferimin e Nazmi Gripshit, 26-vjeçari mesfushor sulmues te Cracovia”.
Ndër të tjera, raporti shton se Ballkani do të fitojë rreth 350 mijë euro nga shërbimet e lojtarit.
“Transferimi i shqiptarit po afrohet gjithmonë e më shumë. Sipas mediave shqiptare transferimi do të jetë rreth 400 mijë euro. Megjithatë, ne mësojmë se vlera është pak më e ulët, rreth 250 mijë euro. Lojtari do të nënshkruajë kontratë për dy vite e gjysmë”.
Gripshi ka qenë ndër lojtarët më të dalluar te Ballkani, me paraqitje fantastike dhe i njohur për driblimet e shpejta brenda zonës.
Mesfushori këtë sezon ka zhvilluar 29 paraqitje për skuadrën e Ilir Dajës duke kontribuar me 11 gola dhe dhuruar tre asistime në përgjithësi.
Ndër të tjera, një kalim në Poloni dhe po të gjejë formën e duhur mund t’i ndihmojë ta fitojë vëmendjen e përzgjedhësit Sylvinho, meqenëse ende s’ka debutuar te ekipi A, mirëpo ka luajtur vetëm te grupmoshat e reja.