Pas kritikave të shumta, FFK-ja vendos të shesë bileta për ndeshjen e Kosovës edhe në 8 qytete të tjera
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka vendosur të hapë pika të shitjes së biletave për ndeshjen e Kombëtares kundër Burkina Fasos edhe në tetë qytete të tjera në vend, duke u dorëzuar përballë kritikave të mëdha për shitjen e biletave vetëm në Prishtinë.
Kosova do të përballet me Burkina Fasos në një miqësore nesër pasdite, e enjte, në Stadiumin Fadil Vokrri, në atë që ndeshja e parë në vitin 2022 dhe e para nën drejtimin e trajnerit të ri Alain Giresse.
FFK-ja u përballë më shumë telashe si gjithmonë në shitjen e biletave për ndeshjet e Kombëtares, pasi fillimisht i dështoi shitja e tyre online të hënën.
Më vonë, shtëpia e futbollit vendor vendosi t’i nxjerr ato në shitje në pika të shitjes në Prishtinë. Por ky vendim iu bumerang, pasi u prit me kritika shumë të mëdha dhe federata u akuzua se po i diskriminon qytetet e tjera të vendit.
Si pasojë, ajo ka vendosur që sot, një ditë para ndeshjes, t’u mundësojë edhe qytetarëve në qytetet si Mitrovicë, Vushtrri, Podujevë, Ferizaj, Gjilan, Gjakovë, Pejë dhe Prizren, ta kenë mundësinë të blejnë biletë në qytetin e tyre të jetesës.
“Federata e Futbollit e Kosovës njofton opinionin se shitja e biletave për ndeshjen miqësore Kosova – Burkina Faso, krahas dy pikave të shitjes së kompanisë “Artmotion” në Prishtinë, sot do të fillojë edhe në pikat e kësaj kompanie në 8 qytet tjera në: Mitrovicë, Vushtrri, Podujevë, Ferizaj, Gjilan, Gjakovë, Pejë dhe Prizren”, thuhet në një njoftim të FFK-së të mërkurën herët.
Shitja e biletave në këto qytete fillon në orën 13:00, njofton FFK-ja.
Interesimi për të blerë bileta në kryeqytet nuk ka qenë i madh dje, po ashtu duke e parë edhe çmimin e lartë të tyre, gjë për të cilën është kritikuar federata, po ashtu.
Pavarësisht se kjo është vetëm një miqësore dhe kundër një kombëtareje të pafuqishme, çmimi i biletave është i njëtë me ato të ndeshjeve të kaluar të nivelit garues, pra në veri dhe jug një biletë kushton 5 euro, në lindje 10 euro, perëndim 20 euro, ndërsa ato VIP kushtojnë 80 euro.
Kaq kanë kushtuar biletat edhe për përballjen Kosovë-Angli në kualifikime për Euro 2020 në vitin 2019.
Miqësorja me kombëtaren e vendit të Afrikës Perëndimore është e para nga dy sa do t’i zhvillojë Kosova këtë muaj, pasi pesë ditë më vonë do të përballet për herë të parë me Zvicrën, në atë që është quajtur ndeshje vëllazërore.
Giresse, 69-vjeçar, e grumbulloi ekipin dardan të hënën, kur edhe e mbajti stërvitjen e parë me të. Ndërsa të martën e zhvilloi edhe një stërvitje tjetër në prag të ndeshjes të enjten.
Ish-trajneri i Malit dhe Senegalit beson se këto dy ndeshje do t’i shërbejnë atij për t’u njohur mirë me futbollistët e Kosovës, para punës serioze që e pret nga qershori e tutje.
Puna e vështirë për francezin nis në qershor, kur Kosova e nis edicionin e tretë në Ligën e Kombeve. Verdhekaltrit janë në Ligën C në një grup me Greqinë, Irlandën Veriore dhe njërën mes Estonisë dhe Qipros.