Pas 12 vitesh, Neymar vesh sërish fanellën e Santosit: Ndjenjë e papërshkrueshme
Sulmuesi brazilian, Neymar, ka thënë se ndjenja e të luajturit sërish për Santos, pas 12 vitesh larg nga klubi, ishte e papërshkrueshme.
33-vjeçari u kthye në klubin brazilian më 31 janar nga Al Hilal, 12 vjet pasi u largua për t’iu bashkuar Barcelonës në vitin 2013.
Neymar hyri në fushë pas pjesës së parë kur Santos kishte epërsinë 1:0 dhe impresionoi në pjesën e dytë në rikthimin e tij nga lëndimi, ndërsa Botafogo luftoi për të siguruar një barazim 1:1 në Estadio Vila Belmiro.
“Unë e dua Santosin”, tha Neymar.
“Nuk kam fjalë për të përshkruar atë që ndjeva sonte kur dola sërish në këtë fushë. Më duhen minuta, më duhen ndeshje. Nuk jam ende në 100% të formës. Nuk e prisja të vrapoja dhe të dribloja kaq shumë sonte. Mendoj se do të ndihem më mirë pas katër ose pesë ndeshjeve.”
Pas përfundimit të ndeshjes, një numër lojtarësh të Botafogos dhe anëtarë të stafit të klubit kërkuan foto me Neymarin, ish-kapitenin e Brazilit.
Gjatë periudhës së tij të parë te Santos, Neymar fitoi gjashtë trofe, përfshirë Copa Libertadores në vitin 2011. Ai u largua nga klubi pasi shënoi 136 gola në 225 paraqitje, deri në moshën 21-vjeçare.
Më pas, ai u bë lojtari më i shtrenjtë i të gjitha kohërave kur u transferua nga Barcelona te Paris Saint-Germain në vitin 2017 për një shumë rekord prej 200 milionë paundësh.
Por aventura e tij në Arabinë Saudite, ku u transferua në vitin 2022, u ndërpre për shkak të një dëmtimi të rëndë. Neymar grisi ligamentin e kryqëzuar të përparmë, çka e kufizoi atë në vetëm shtatë paraqitje për Al Hilal.
Santos, ish-klubi i legjendës braziliane Pelé, u rrëzua nga elita për herë të parë në historinë e tyre 111-vjeçare në vitin 2023.
Megjithatë, ata siguruan menjëherë rikthimin në elitën e futbollit brazilian sezonin e kaluar duke fituar Serinë B.