Partizani shpallet kampione e Shqipërisë edhe pse me pikë të barabarta me Tiranën
Skuadra nga kryeqyteti i Shqipërisë, Partizani, është shpallur kampion në Kategorinë Superiore, krejt kjo pasi në xhiron e fundit e mposhti me rezultat 2:0 Teutën e Durrësit, ndërsa edhe Tirana fitoi 2:1, për t'u barazuar me pikë, por ndeshjet e ndërsjella ishin në të mirë të, të kuqve.
Partizani dhe Tirana, dy rivalët e qytetit hyrën në xhiron e fundit me pikë të barabarta, por të kuqtë kishin avantazhin për shkak të ndeshjeve të ndërsjella dhe çdo fitore do t’i shpallte ata kampion.
Golashënues për 1:0 ishte Arinaldo Rrapaj në minutën e 39-të, ndërsa Cara shënoi në minutat shtesë të pjesës së dytë për rezultatin përfundimtar 2:0, që ishte gol i titullit të 17-të për Partizanin në Kategorinë Superiore.
Në anën tjetër, Tirana fitoi 2:1 me golat e Haxhiut dhe Abazajt, por ishte e pamjaftueshme për të arritur pozitën e parë, ndërsa Erzeni edhe me humbje fitoi shansin e fundit për në play-off.
Përpos Partizanit dhe Tiranës, edhe Egnatia e Vllaznia do të luajnë në kualifikime të garave evropiane pasi u renditen në pozitën e tretë dhe të katërt, respektivisht.
Teksa Kastriotit që matematikisht ra në Ligën e Parë javën e kaluar, iu bashkua edhe Bylisi pasi humbi sot në ndeshjen e fundit vendimtare.
Në anën tjetër, Skënderbeu si kampion në Kategorinë e Parë dhe Dinamo si nënkampion do të hyjnë në Kategorinë Superiore, teksa Flamurtari, Tomori, Korabi dhe Luz i Vogël do të luftojnë për në play-off, në fund me fituesin që do të përballet me Erzenin, me vetëm një skuadër që nga këto do të jetë pjesë e elitës së futbollit shqiptar.
Kujtojmë se ashtu si Superliga e Kosovës, edhe në Kategoria Superiore ra në dy për momente të dyshimta, ku si rrjedhojë portieri i Kombëtares së Kosovës, Visar Bekaj, u pezullua për 12 muaj nga çdo aktivitet, pasi aludoi se titulli kampion po i falet Partizanit.
