Paraqitje e jashtëzakonshme e Alonzo Verge Jr, Golden Eagle Ylli e fiton edhe gjysmëfinalen e dytë ndaj Pejës - NACIONALE

Paraqitje e jashtëzakonshme e Alonzo Verge Jr, Golden Eagle Ylli e fiton edhe gjysmëfinalen e dytë ndaj Pejës

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Golden Eagle Ylli ka fituar edhe gjysmëfinalen e dytë ndaj Pejës në kuadër të play-offit të Superligës së Kosovës, me Alonzo Verge Jr që bëri paraqitje fantastike prej 52 pikësh.

Skuadra nga Suhareka kishte fituar edhe ndeshjen e parë, që ishte në udhëtim në Karagaç, ndërsa tani serinë gjysmëfinale e ka çuar në 2:0, që do të thotë se një fitore në ndeshjen e ardhshme i dërgon në finalen e madhe.

Vendasit e nisën më mirë ndeshjen dhe 10 minutat e parë i mbyllën me epërsi të vogël prej tre pikëve, 20:17.

Çereku i dytë ishte më i miri për Yllin, pasi fituan 27:19, për të shkuar në pushim me epërsi prej 11 pikëve, apo rezultat total 47:36.

Pas pushimit prej 10 minutave, ndeshja u bë më e nxehtë, me dy skuadrat që kërkonin me ngulm fitoren.

Peja arriti ta fitonte çerekun e tretë me një pikë epërsi, 24:23, për të shkuar në 10 minutat e fundit në disavantazh prej 10 pikëve.

Mysafirët ishin paksa më të mirë edhe në periodën e fundit, por Ylli arriti ta menaxhonte situatën në mënyrën më të mirë.

Edhe pse pejanët triumfuan 26:22 në këtë çerek, Ylli mori fitore me rezultat 92:86 në fund.

Më i dalluari i kësaj ndeshje natyrisht ishte fantastiku Alonzo Verge Jr, që pati shifra të jashtëazakonshme prej 52 pikëve, nëntë rebounds e pesë asistime, i ndihmuar nga 10 pikët e kapitenit Gëzim Morina.

Te Peja u dallua Vaughn me 18 pikë, Justin Davis me 14 dhe Deandre Davis me 13 sosh.

Golden Eagle Ylli tani është 2:0 në serinë gjysmëfinale ndaj Pejës dhe ndeshja e radhës do të jetë vendimtare, ku edhe me një fitore ata do të kalonin në finale, ndërsa në rast të fitores së Pejës, do të zhvillohet ndeshja e katërt.

Kujtojmë se as kjo përballje nuk u mbyll pa incidente, me tifozët vendas që gjuajtën në sallë, në drejtim të mysafirëve.

Lajme të ngjashme