Pamje: Vedat Muriqi e turpëron mbrojtjen e Real Madridit, por Courtois ia mohon golin - NACIONALE

Pamje: Vedat Muriqi e turpëron mbrojtjen e Real Madridit, por Courtois ia mohon golin

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Vedat Muriqi ishte shumë afër ta shënonte njërin prej golave më të mirë në karrierë kundër njërit prej klubeve më të mëdha në botë të dielën në La Liga.

Përfaqësuesi i Kosovës Muriqi për pak sa nuk e kaloi Mallorcan në epërsi kundër Real Madridit në Santiago Bernabeu qysh në fillim të përballjes mes tyre në La Liga, raporton Nacionale.

Muriqi e mori një pasim të gjatë në minutën e dytë dhe e kaloi mbrojtësin gjerman Antonio Rudiger duke ia kaluar topin anash dhe e la tërë mbrojtjen madriele të shtangur mbrapa.

Por goditja e tij e fuqishme me gjysmë vollej ishte direkte dhe u prit nga portieri Thibaut Courtois, si pasojë.

Muriqi – i cili iu bashkua Mallorcas nga Lazio këtë verë në një marrëveshje prej 7 milionë eurove – i ka shënuar dy gola në katër ndeshje për klubin ishullor deri tani këtë sezon.

Sulmuesi prizrenas, 28 vjeç, e arriti kthimin e shumëdëshiruar në Mallorca – te e cila e kishte kaluar pjesën e dytë të sezonit të kaluar në huazim – vetëm pasi Club Brugge e kishte prishur marrëveshjen për blerjen e tij duke pretenduar se kosovari kishte dështuar t’i kalojë testet mjekësore.

Mallorca e kishte dashur aq shumë Muriqin këtë verë, por fillimisht kishte hasur në një ngurrim të fortë nga Lazio për ta lëshuar për më pak se 12 milionë euro.

Por dështimi i kalimit të tij në Brugge për rreth 11 milionë euro bëri që Lazio të heqë dorë nga kërkesa fillestare dhe ta lejojë atë të kthehet në La Liga për 7 milionë.

Muriqi ishte mbase më meritori që Mallorca i shpëtoi rënies nga La Liga sezonin e kaluar, falë kontributit të tij prej pesë golave dhe tri asisteve në 15 paraqitje. Pra, më shumë se çdo lojtar tjetër i Mallorcas në vitin 2022, apo që prej kohës kur ai iu bashkua atyre, dhe mjaftueshëm për ta shpëtuar skuadrën nga rënia në kategorinë e dytë të futbollit spanjoll.

Lajme të ngjashme