Pamje: Saka e dridh portën e Manchester Unitedit, Arsenal përmbys rezultatin
Saka ka shënuar një gol të jashtëzakonshëm, duke e përmbysur kështu në 2:1 rezultatin kundër Manchester Unitedit.
Arsenali e ka gjetur edhe golin e dytë në derbin e sotëm kundër "Djajve të Kuq". Ishte një kryevepër e Sakas që ia mundësoi një gjë të tillë.
Në minutën e 53-të përfaqësuesi anglez, Saka, nga hiçi shënoi, pasi koordinoi një goditje mbresëlënëse nga distanca, që përfundoi në këndin e majtë të portës së De Geas.
Ky ishte goli i shtatë që talenti anglez shënoi në këtë edicion të Premierligës. Ai ka kontribuar edhe me shtatë (7) asiste të tjera në këtë sezon të kampionatit anglez.
Saka ka qenë prej lojtarëve më frytdhënës nga të rinjtë që “Topçinjtë” kanë promovuar gjatë këtyre viteve. Ai përveç që ka arritur ta etablojë pozitën e titullarit nën drejtimin e Artetas, këtë gjë e ka bërë edhe me Kombëtaren e Anglisë, pasi në shumë raste ka luajtur edhe nga minuta e parë.
Ndërkaq sa i përket ndeshjes së sotme, i pari që hapi llogarinë e golave ishte Rashford në minutën e 17-të të takimit, pas një goditje të hatashme nga distanca.
Vetëm shtatë minuta më vonë u kundërpërgjigj Arsenali. Xhaka, mesfushori fantastik shqiptar, asistoi për mrekulli përmes një harkimi për Nketihah, i cili goditi saktë brenda 16-metërshit për 1:1.
