Pamje: Messi në paraqitjen e parë si titullar shënon dy gola dhe asiston në fitoren e Miamit ndaj Atlantas - NACIONALE

Pamje: Messi në paraqitjen e parë si titullar shënon dy gola dhe asiston në fitoren e Miamit ndaj Atlantas

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ylli argjentinas, Lionel Messi, ka shkëlqyer në paraqitjen e parë si titullar për Inter Miamin. Ai shënoi dy gola dhe asistoi në një tjetër në mëngjesin e hershëm me orë lokale të Kosovës, për t’ia dhuruar fitoren skuadrës së tij, Inter Miami, ndaj Atalanta United, në Kupën e Ligës.

Messi tashmë i kishte fituar një ndeshje Miamit, pikërisht në Kupën e Ligës, kur shënoi gol tejet të bukur ndaj Cruz Azul nga gjuajtja e lirë në minutat shtesë, por paraqitja e sotshme për dallim erdhi nga minuta e parë në fitoren 4:0 të skuadrës së tij të re.

Goli i parë erdhi herët, qysh në minutën e nëntë. Ishte një asistim i jashtëzakonshëm nga Sergio Busquets që gjeti ‘gjeniun e vogël’ të vetëm me një hapësirë përpara për të manovruar. Fillimisht 36-vjeçari goditi shtyllën dhe nga topi i kthyer ai shënoi për 1:0.

Edhe goli i dytë erdhi shumë shpejt, kur pas një aksioni të bukur të nisur pikërisht nga shtatë herë fituesi i Topit të Artë, topi shkoi në kënd te Taylor që çoi topin në zonë, me Messin që finalizoi lehtësisht për 2:0, për golin e tij të tretë për Inter Miamin në vetëm 58 minuta të zhvilluara në total.

Deri në fund të pjesës së parë, Inter Miami, shënoi edhe një gol, kësaj radhe Messi nuk u përfshi fare. Ishte Taylor që çoi skuadrën në pushimin e mes pjesëve me rezultat 3:0.

Pak minuta pasi filloi pjesa e dytë, në një kundërsulm të shpejtë të Inter Miamit, Messi i cili tërhoqi te vetja tre futbollistët e vetëm kundërshtar, asistoi pastaj për Taylorin e vetëmuar, i cili shënoi për rezultatin përfundimtar 4:0. Me këtë rast Messi bëri edhe asistimin e tij të parë për Miamin.

Tani Inter Miami ka kaluar tutje, pasi kryeson grupin 10 të Kupës së Ligës dhe nuk do të ketë ndeshje në xhiron e radhës në këtë garë, ndërsa ndeshja e parë për Messin në MLS do të vijë vetëm më 21 gusht, kur skuadra e tij përballet me Charlotte.

Lajme të ngjashme