Pamje: Guardiola e gjuan me shishe stolin e Leeds, pendohet menjëherë
Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, dje gjatë një momenti tregoi saktësisht të kundërtën se çfarë tregonte ekipi i tij në fushë, ku humbi kontrollin duke gjuajtur me shishe në drejtim të stolit të Leeds United, por që për këtë veprim u pendua menjëherë.
Ishte një rast i humbur që bëri trajnerin spanjoll të reagonte ashtu në atë moment, në ndeshjen që skuadra e tij e fitoi në udhëtim 3:1, me dy gola të Haaland dhe një të Rodrit.

Shishja e goditur shkoi drejt e në stol ku ishin të vendosur stafi i Leedsit dhe lojtarët rezervë, me trajnerin e qytetarëve që vrapoi menjëherë për të kërkuar falje.
He’s comedy gold pic.twitter.com/OA7bXpvPIz
— Nooruddean (@BeardedGenius) December 28, 2022
Këmba e tij e djathtë nuk duket ta ketë më freskinë e dikurshme që kishte shfaqur në fushën e lojës për Barcelonën, por duket se ky veprim i tij i momentit u fal nga kundërshtarët.

Përpara se të godiste shishen me këmbë, Guardiola kishte përplasur një tjetër shishe për toke, duke treguar temperamentin e tij, pavarësisht se skuadra e tij dukej e vetme në fushë, me një dominim të lojës.
Erling Haaland shënoi dy gola për të çuar numrin në 20 gjatë 14 ndeshjeve – shifër rekorde deri më tani, kurse Rodri ishte ai që kishte hapur takimin me golin e parë, ndërsa te kundërshtarët Pascal Strujik shënoi me kokë për të ngushtuar sado pak rezultatin.

Qytetarët janë në ndjekje të liderit, Arsenali, të cilët janë të vetëm në krye me pesë pikë më shumë se kampioni në fuqi.
Manchester City në ndeshjen e radhës takohet me Evertonin, ndërsa Arsenali në një udhëtim të vështirë te Brightoni.

