Pamje: Futbollisti e grushton dhe e lë pandjenja gjyqtaren gjatë ndeshjes - NACIONALE

Pamje: Futbollisti e grushton dhe e lë pandjenja gjyqtaren gjatë ndeshjes

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Një futbollist argjentinas është arrestuar për shkak se e kishte grushtuar dhunshëm duke e bërë për spital një gjyqtare, e cila e kishte ndëshkuar atë me karton të kuq.

I tërbuar me vendimin e gjyqtares Dalma Cortadi për ta përjashtuar nga loja, futbollisti Cristian Tirone iu vërsul asaj dhe e goditi fuqishëm me grusht në kokë derisa ajo po ia shënonte emrin në bllokun e shënimeve, raporton Nacionale.

Në video ai shihet duke ardhur nga mbrapa fshehurazi me shpejtësi për ta goditur mbrapa kokës aq fuqishëm saqë e rrëzoi në tokë për disa çaste.

Ajo u çua në këmbë vetë pak çaste më vonë, derisa gjyqtari anësor e lartoi Tironen prej saj, para se policia të vinte në fushë për ta arrestuar atë.

Ndeshja u pezullua dhe Dalma u dërgua në spital për një kontroll siguri por u lirua menjëherë.

Ky sulm i tmerrshëm ndodhi të dielën gjatë një ndeshjeje të kategorisë së tretë të futbollit argjentinas në provincën e Buenos Aires.

Dalma, 30 vjeçe, i kishte përjashtuar dy futbollistë, përfshirë Tironen, pas një ndërhyrjeje. 34-vjeçari, i cili luan për Deportivo Garmense, i qortua nga gjyqtarja për shkak të fyerjeve, para se të sulmonte.

Ajo tha se është mirë dhe se mjekët i kanë kërkuar të pushojë pas këtij sulmi.

“Jam paksa e hutuar pas asaj që ndodhi, përndryshe jam mirë dhe po përkrahem nga kolegët dhe familja. Mjekët më kanë kërkuar të pushoj. Goditjen e mora në qafë me një grusht dhe e lëndova edhe bërrylin kur rashë në tokë”, tha ajo pas sulmit.

Gjyqtarja konfirmoi se do të ngrejë padi ndaj futbollistit Tirone.

“Ende jam duke u munduar ta pranoj atë që ndodhi. E gjitha që dua unë është të ketë drejtësi. Gjinia dhe se a u bë kjo ndaj një burri apo gruaje nuk ka rëndësi këtu. E rëndësishme është të mos ketë dhunë të tillë në futboll apo diku tjetër. Njerëz si ky njeri nuk kanë vend në futboll”, shtoi ajo.

Lajme të ngjashme