Pamje: “E di ti – mos fishkëlle shumë”: Biseda e Handanovic me gjyqtarin kryesor para ndeshjes shkakton mllef në Itali - NACIONALE

Pamje: “E di ti – mos fishkëlle shumë”: Biseda e Handanovic me gjyqtarin kryesor para ndeshjes shkakton mllef në Itali

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kamerat e transmetuesit të Serie A në Itali, “DAZN”, kanë kapur Samir Handanovicin teksa fliste me gjyqtarin Simone Sozza para fillimit të ndeshjes kundër Napolit, duke e lutur atë që të mos fishkëllente shumë. Pamjet kanë shkaktuar polemika të mëdha.

Portieri veteran i Interit, Samir Handanovic, gjersa po përgatitej t’i bashkohej bankës rezervë, përshëndeti të gjithë lojtarët në tunelin që lidh zhveshtoret me fushën. Ai nuk përshëndeti vetëm bashkëlojtarët e tij dhe lojtarët rivalë, por edhe gjyqtarët.

Një lutje të veçantë e kishte posaçërisht për gjyqtarin kryesor Sozza. Kamerat e “DAZN” kanë kapur një moment që nuk vonoi shumë për t’u shndërruar në një polemikë të madhe në Itali.

Bëhet fjalë për disa fjalë që Handanovic ia tha gjyqtarit Sozza në tunel. “Sozza, e di ti. Mos fishkëlle shumë!” – kjo ishte “lutja” e tij, që për dikë po konsiderohet si “porosi”.

Megjithatë, shumë gazeta dhe mediume në përgjithësi shkruan për këtë episod, duke ngre dyshime për këto fjalë të portierit rezervë të Interit. Edhe tifozët e Napolit u shfaqën të acaruar në internet.

"Nganjëherë as nuk bën mëkat nëse mendon diçka të keqe. Ndërhyrja e egër që shihet në fotografinë e djathtë as që është akorduar si goditje dënimi", shkroi njëri nga tifozët e Napolit.

Sidoqoftë, burimet e agjencisë prestigjioze të lajmeve “Ansa” bëjnë të ditur që Napoli si klub e ka parë me një sy kritik të gjithë këtë polemikë të nxitur.

“Napoli është i lodhur me narrativën e komplotit. Nuk ka komplote kundër Napolit”, i ka thënë një burim brenda klubit në kushte anonimiteti “Ansas”.

Vlen gjithashtu të cekët që ndarja e drejtësisë nga gjyqtari Sozza është gjykuar në superlativ nga të gjithë ekspertët e kësaj fushe.

Kështu e vlerësuan edhe të gjitha gazetat e mëdha sportive, që lëvduan qasjen e tij për të mos fishkëlluar shumë. Qasje që ishte edhe konform “lutjes” së Handanovicit për një pjesë të tifozëve, por është më se i kristalët fakti që ai nuk ka ndikuar aspak në rezultatin e ndeshjes.

Lajme të ngjashme