Pamje: Dembele e turpëron mbrojtjen e Juventusit në barazimin e Barcelonës me bardhezinjtë
Barcelona ka barazuar 2:2 me Juventusin, në një ndeshje miqësore në Shtetet e Bashkuara në të cilën Ousmane Dembele shkëlqeu duke treguar formë të lartë në prag të fillimit të sezonit të ri.
Sulmuesi francez Dembele i shënoi të dy golat për Barçën në një pjesë të parë të mbizotëruar nga katalonasit, para se Moise Kean të shënonte dy herë për ta shmangur disfatën për Juven.
Barcelona ishte superiore ndaj gjigantit italian por i mungoi saktësia pranë portës, pasi kishte mundësi të shumta shënimi.

Takimi i ndjeshëm miqësor ishte tregues për trajnerin Xavi po ashtu se skuadra e tij ka ende goxha punë për të bërë në mbrojtje.
Katalonasit ishin edhe të pafat deri diku, pasi blerja e re e kësaj vere Raphinha dhe Ansu Fati e goditën shtyllën horizontale secili nga një herë brenda një minute në pjesën e dytë.
Shfaqja e Dembeles
Dembele ishte thjesht i papërmbajtshëm dhe mbrojtja e skuadrës së Massimiliano Allegrit nuk kishte zgjidhje për ta ndaluar atë në pjesën e parë.
Përfaqësuesi i Francës i shënoi të dy golat në mënyrë vetjake, duke i dribluar tre mbrojtës të klubit italian në krahun e djathtë para se ta mposhte portierin Wojciech Szczesny.
Ai ishte edhe afër golit të tretë për ta arritur het-trikun pas një pasimi të mirë nga Franck Kessie, por nuk ia doli dhe pjesa e parë u mbyll me epërsinë 2:1 të Barçës.
Edhe Robert Lewandowski, i cili debutoi për Barçën në fitoren kundër Real Madridit në fundjavë, ishte afër golit të parë në fanellën katalonase.
Barcelona do t’i zhvillojë edhe dy ndeshje të tjera miqësore, kundër New York Red Bulls në SHBA dhe kundër Pumas UNAM për Joan Gamper Trophy në Camp Nou, para fillimit të sezonit të ri.
Ndërsa sezonin e ri në La Liga do ta nisë kundër Rayo Vallecanos më 13 gusht në Camp Nou.